Komuna e Tetovës me rastin e Ditës së pranverës dhe planetit Tokë e organizoi eko-aksionin e madh të paralajmëruar për pastrim të qytetit. Kryetari i komunës Bilall Kasami së bashku me të punësuarit nga administrata komunale dhe ndërmarrjet publike prej para ndërtesës së komunës filluan të lëvizin nëpër qytet dhe të mbledhin mbeturina të hedhura.
“Në mënyrë simbolike festojmë Ditën e Tokës, me këtë aksion për pastrimin e qytetit. Ky do të jetë një nga aksionet e shumta për pastrimin e qytetit me qëllim që t’i sensibilizojmë dhe informojmë qytetarët se nëse duam të jetojmë në një qytet të pastër, mjedis të pastër, duhet të mësojmë se më e lehtë është të mos hedhim mbeturina sesa dikush ta largojë atë mbeturinë nga rruga. Me administratën e komunës, me shkollat e mesme dhe me të gjithë qytetarët e interesuar duam të punojmë së bashku për një qytet më të pastër, për hapësira publike më të pastra me atë që NPK do ta bëjë punën e saj, por nëse të gjithë qytetarët hedhim mbeturina kudo pa kontroll atëherë sado që të ketë të punësuar në këtë ndërmarrje nuk do të mund të pastrojë rrugët tona dhe zonat publike”, deklaroi Kasami.
Kasami nuk kishte asnjë përgjigje për pyetjet e gazetarëve se sa dhe çfarë gjoba ka vendosur komuna për mbeturinat e hedhura. Njoftoi masa më rigoroze, në radhë të parë të karakterit parandalues, për të parandaluar hedhjen e mbeturinave në tokë në vend të shportave dhe kontenjerëve