Nga Gabriel Gavin “Spectator”
Një brohoritje kumbon në sallën e një qendre sekrete të komandës së forcave ukrainase. Në ekran, një tjetër raketë-hedhëse ruse bëhet pluhur e hi nga goditja me dron nga ajri. Duke punuar disa km pas vijës së parë të frontit, një ekip operatorësh ukrainas të dronëve po përpiqet që të ndryshojë rrjedhën e luftës kundër forcave ruse.
Arma më efektive në arsenalin e tyre është droni turk “Bayraktar TB2”. Pasi ngjitet në lartësinë 160 metra mbi fushën e betejës, kjo pajisje shkatërron gjithçka që shënjestron vetëm me shtypjen e një butoni. Ky dron është aq i frikshëm, saqë ka frymëzuar një këngë dashurie që është bërë virale në Ukrainë, madje edhe një video-lojë.
Të lehtë dhe me të vegjël se dronët e tjerë ushtarakë, “Bayraktar TB2” janë projektuar për t’iu shmangur sistemeve anti-ajrore, dhe për të qëndruar të pazbuluar për aq kohë sa të jetë e mundur, dhe peshojnë më pak se 1/6 e dronit kryesor ushtarak që ka sot SHBA-ja, “Predator”.
Në të njëjtën kohë, gjatësia prej 12 metrash e krahëve, e ndihmon atë të qëndrojë në ajër deri në 30 orë. Pra ka mjaftueshëm kohë në dispozicion për të lëshuar 4 raketat e tij të drejtuara me lazer. Ndërkohë, Rusisë i mungon çdo lloj droni ushtarak sulmues.
Në vend të tyre, ata mbështeten tek pajisjet e zbulimit për të orientuar artilerinë e tyre. Dhe ndërsa droni amerikan “Predator” kushton rreth 30 milionë paund, ekuivalenti turk mund të blihet për vetëm 750.000 paund. Suksesi i “Bayraktars TB2”, e ka çimentuar statusin e Turqisë si një nga prodhuesit kryesorë të dronëve në botë.
Pavarësisht nga marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, Ankaraja e ka mbështetur prej kohësh Ukrainën, duke i dërguar asaj dronë ushtarakë shtesë në muajt e fundit, përveç dhjetëra dronëve që i ka shitur Kievit që nga viti 2019.
Për komandantët në Moskë, edhe më shqetësues ishte lajmi vitin e kaluar se Ukraina kishte nënshkruar një marrëveshje për bashkëprodhimin e “Bayraktars TB2” në vend, si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti. Gjatë viteve të fundit, Turqia ka armatosur në heshtje me teknologji të avancuar të hapësirës ajrore vendet kufitare me Rusinë.
Ish-Republikat Sovjetike të Kirgistanit dhe Turkmenistanit kanë nënshkruar marrëveshje për dronët e prodhimit turk, ndërsa Azerbajxhani i përdori ato me një efektivitet shkatërrues kundër aleatit të ngushtë të Kremlinit, Armenisë, vitin e kaluar në luftën e shkurtër mbi rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut.
Polonia, Libia, Nigeria dhe Maroku, janë gjithashtu në listën e vendeve që kanë nënshkruar marrëveshje me Ankaranë për blerjen e dronit ushtarak. Kostoja e tij nuk është tërheqës vetëm për vendet me buxhete më të vogla në fushën e mbrojtjes.
Përdorimi i TB2 është shumë ekonomik:ukrainasit i përdorin më shpesh ata në misione me rrezik të lartë mbi hapësirën ajrore të kontrolluar nga armiku. Kompania që prodhon TB2, Baykar, drejtohet nga 42-vjeçari Selçuk Bayraktar.
Ish-studenti e inxhinierisë në Massachusetts Institute of Technology, SHBA, është i martuar me vajzën e vogël të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Të dy thuhet se kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë.
Ushtria turke ka aktualisht në përdorim më shumë se 140 dronë Bayraktar, dhe kjo do të thotë se aftësitë e saj i tejkalojnë ato të Britanisë së Madhe, që zotëron vetëm 10 dronë ushtarakë “Reaper” të prodhimit amerikan, dhe që kanë një vjetërsi prej mbi 2 dekadash.
Dronët Bayraktar e kanë ndihmuar ushtrinë turke që të jetë e vetë-mjaftueshme kur bëhet fjalë për fuqinë ajrore, pavarësisht se më parë ishte shumë e varur nga importet e huaja. Prodhimi i këtij droni është rritur vazhdimisht që nga viti 2019, kur Uashingtoni e nxori Turqinë nga skema e saj e avionëve luftarakë F-35, pasi Ankaraja vendosi të blinte sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Aktualisht po punohet për dronin e ri “Akinci”, që është i pajisur me aftësi më të mëdha rezistence, me një teknologji më cilësore të mbikëqyrjes dhe pajisje të reja kundërmasash që do të pengojnë përpjekjet e armikut për ta hakeruar në mënyrë dixhitale dronin.
Në fillim të këtij muaji, pikërisht kur Rusia nisi edhe pushtimin e saj, Baykar njoftoi se kishte testuar me sukses dronin “Akinci”. Selçuk Bayraktar premtoi se ai do të jetë droni ushtarak më i fuqishëm dhe më i aftë në botë për luftime.
Analistët rusë janë pa dyshim të shqetësuar për teknologjinë turke të dronëve, duke e lidhur atë një numër të madh sulmesh vdekjeprurëse ndaj trupave ruse. Ka të dhëna se Inteligjenca Artificiale e instaluar në bordin e këtij droni, është në gjendje të përcaktojë më mirë objektivat, pavarësisht se operohet zyrtarisht nga një qendër komandimi.
Dhe kjo teknologji e ka testuar tashmë veten kundër forcave të mbështetura nga Moska.
Në vitin 2020, Turqia përdori disa dronë për të sulmuar depot siriane me armë kimike dhe sistemet e raketave si ndëshkim për vdekjen e 33 ushtarëve turq që ranë në kufirit turko-sirian.
Deri më tani, vetëm izraelitët kanë qenë në gjendje të ndërtojnë teknologji të ngjashme.
Aftësia e Turqisë për të zhvilluar avionë ushtarakë shumë të sofistikuar – dhe jashtëzakonisht të lirë – po fillon të ri-formësojë konfliktet anembanë globit. Tani, kjo superfuqi e re me dronë, po i ofron Ukrainës një rrugë shpëtimi në luftën e saj kundër Vladimir Putinit.albeu.com