Dje në ditën e 7-të të protestës kombëtare përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe produktet e shportës, protestuesit kanë zyrtarizuar kërkesat e tyre, ndërsa i kanë dhënë ultimatum deri të shtunën qeverisë për plotësimin e tyre.
Nga sheshi “Skënderbej” protestuesit i kërkuan qeverisë realizmin e disa kërkesave të tyre, pasi nëse kjo nuk ndodh, ata nuk do largohen nga sheshi ditën e shtunë, duke i dhënë asaj një afat treditor.
Kërkesat e qytetarëve bazohen në tri shtylla kryesore si: Ulja e barrës fiskale, hetim dhe mbikëqyrje për funksionimin e tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël.
Kërkesat e protestuesve:
Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit, pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë;
Përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhës të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun;
Zgjerimi i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve;
Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik;
Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve