Kryeministri Edi Rama lexoi gjatë komunikimit të tij live në Facebook një mesazh që kishte marrë nga dikush në një instancë në Bruksel, ku ngrihet shqetësimi se këto protesta që ndodhin në një vend të NATO-s, mund të përdoren nga Rusia.
Dhe sot, për ata që nuk e kanë ndjekur, kam lexuar një mesazh që më ka ardhur para dy ditësh nga Brukseli, më saktë jo nga Komisioni Europian, por nga dikush në një instancë të caktuar, ku thotë: “Po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Tiranë. A keni informacione kush qëndron prapa këtyre protestave në Tiranë? Është legjitime t’i bëhet presion qeverisë që të veprojë në ndihmë të njerëzve. Shqipëria është pjesë e NATO-s, ndërkaq NATO është gati defacto në luftë me Rusinë. Lufta sjell telashe, vështirësi, uri, kjo që po ndodh me çmimet mund të jetë vetëm fillimi dhe Rusia ka shpresë të madhe tek protestat ekonomike nëpër vendet e NATO-s”. Absolutisht që nuk po diskutoj këtu që këta i ka nxjerrë në rrugë Putini, por po them që sesi mund të bëhesh vegël edhe e një interesi tjetër për turpin tënd dhe për turpin e të gjithëve duke bërë diçka kaq të paturpshme sa një reagim i tillë”./tvklan.al