Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka shprehur mirëkuptim për thirrjen e autoriteteve të Ukrainës që edhe shtetas të huaj t’i bashkëngjiten në luftën kundër Rusisë.
Megjithatë, nga MPJ rikujtojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut se pjesëmarrja në ushtri të huaj, është në kundërshtim me Kodin Penal të vendit dhe paraqet vepër penale.
“Si një vend mik i Ukrainës, e kuptojmë gjendjen e komplikuar në të cilën ndodhet dhe e cila i vendosë në një situatë të veçantë autoritetet ukrainase, që të bëjnë thirrje për çdo lloj ndihme, në të gjitha vendet mike, duke përfshirë edhe shoqërim, dhe/ose vullnetarë të cilët do t’i bashkoheshin ushtrisë ukrainase në mbrojtje nga kërcënimi ushtarak që vjen nga forcat ushtarake ruse. Ministria e Punëve të Jashtme rikujton qytetarët e Maqedonisë së Veriut se pjesëmarrja në çdo ushtri të huaj, sipas rregullave ligjore, përkatësisht Kodit Penal të vendit, është vepër penale”, qëndron në kumtesën e MPJ-së.
Përkitazi me këtë, nga MPJ kanë rikujtuar gjithashtu se RMV “ka dënuar plotësisht agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe këtë gjë shteti e demonstron në OKB, NATO, OSBE dhe në të gjitha forumet tjera bilaterale dhe multilaterale”.