Njëra ndër xhamitë më të njohura në Tetovë, ajo e Sahatit, e vjetër prej disa shekujsh, gjatë viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, në kulmin e egërsisë komuniste, ka qenë e rrezikuar që të rrënohet nga pushteti i atëhershëm, por në saje të angazhimit të disa personaliteteve nga xhemati i xhamisë, kjo kishte shpëtuar nga rrënimi. Në këtë punë, për shpëtimin e xhamisë nga rrënimi, ka dhënë një kontribut të madh edhe ish-imami i Xhamisë së Sahatit, Hafëz Sali Efendiu. Ai, derisa ishte gjallë, ndonëse në moshë të shtyrë, gjatë bisedës kujtohej për disa momente kyç nga ajo kohë e vështirë për xhematin e kësaj xhamie.
Për Bajram, grafitë antifetarë
“Në vitin 1968, në prag të festës së Bajramit, në hovin e represionit komunist, dita kishte aguar me disa grafitë në muret e Xhamisë së Sahatit, që kishin përmbajtje propaganduese antifetare dhe kishin simbole të krishterë (kryqe). Ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë, me prapavijë provokuese dhe propaganduese, reaguam si komunitet mysliman, edhe pse regjimi i atëhershëm komunist kishte mbjellë frikë tek popullata. Përkundër këtij reagimi, pushteti i atëhershëm komunist nuk ndërmori masa konkrete për këtë provokim fetar, kështu që ne u detyruam që t’i ndërpresim për disa ditë ritualet tona fetare, përderisa nuk i hoqëm grafitet nga muret e xhamisë”, ka rrëfyer ish-imami i kësaj xhamie, Sali Efendiu.
“Me këto veprime dëshirohej të na përcillej mesazhi se ky vend nuk na takon neve, se vendi i xhamisë nuk duhet të jetë aty, kështu që herët a vonë një ditë do të rrënohet, për t’u zëvendësuar me një objekt tjetër. Madje, kishte edhe disa arsyetime shumë banale: në majën e minares paska pasur një pjesë që simbolizuaka kishën katolike, ndërsa në lokalitetin ku është xhamia, më herët paska pasur një kishë(!) Kjo na habiti tepër shumë, sepse Xhamia e Sahatit ka një histori të gjatë prej disa shekujsh dhe ka fakte arkeologjike që dëshmojnë në favorin tonë”, shprehej ish-imami i xhamisë.
Ç’është e vërteta, presioni i pushtetit për rrënimin e kësaj xhamie shumë afër sheshit të qytetit, kishte filluar në vitin 1974, kur ende nuk ishin shëruar plagët e popullatës myslimane për rrënimin e Xhamisë së Çarshisë (qershor 1965). Këshilli i xhematit të kësaj xhamie kishte marrë vendim për rinovimin e objektit, për shkak të vjetërsisë dhe depërtimit të lagështisë, që kishte për pasojë rrënimin gradual të mureve. Për këtë shkak, me rrugë zyrtare ishte kërkuar leje nga ana e Komunës së Tetovës për meremetimin e përgjithshëm të mureve të xhamisë, por autoritetet komunale nuk jepnin leje në formë të shkresës dhe lejonin në mënyrë verbale që të bënin disa meremetime të vogla, në mënyrë që të mos vështirësohej rruga për rrënimin e xhamisë që e kishin në plan.
Në Beograd, për shpëtimin e Xhamisë
Sipas Sali Efendiut, njërit nga dëshmitarët e asaj kohe, Komuna e Tetovës ka pasur në plan që në truallin e xhamisë të ndërtojë një objekt institucional për çështje sociale. Të shqetësuar nga një situatë e tillë e pasigurt për ekzistencën e kësaj xhamie në bërthamën e qytetit, Këshilli i Xhematit të Xhamisë kishte vendosur që të ndërmarrë disa masa konkrete për të parandaluar një veprim të tillë të pushtetit të atëhershëm dhe problemi të zgjidhej njëherë e përgjithmonë. Kishin vendosur që Hafëz Sali Efendiu, së bashku me tre anëtarë të xhematit, Murtezan Gegën, Bujamin Qylxhiun dhe Haxhi Nazifin të shkojnë në Beograd, që të ankohen te krerët më të lartë të shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë, sipas mundësisë edhe te kryetari i shtetit, Tito, për ta shpëtuar nga prishja Xhaminë e Sahatit në Tetovë.
Në mungesë të mjeteve financiare për të angazhuar ndonjë avokat të njohur për ta shtyrë këtë çështje më tutje në Gjykatën Supreme, ishte angazhuar avokati Mirsad Kulenoviq, i cili i kishte pritur mjaft mirë në Beograd. Ai kishte premtuar që çështjen do ta përcjellë edhe deri te kryeministri i atëhershëm i Jugosllavisë, Xhemal Bjediq. Në atë takim ishin sqaruar shumë çështje që i brengosnin tetovarët e fesë myslimane, mbi të gjitha për presionet që u bëheshin për prishjen e xhamisë. Ishte dhënë fjala që çështja do të shqyrtohet dhe raporti do t’i dërgohet organeve më të larta të Republikës së Maqedonisë.
“Kishin kaluar disa muaj nga ai takim, por përgjigje nuk kishte. Andaj vendosëm që të bëjmë një telefonatë në Beograd, prej nga na thanë që kjo çështje është mbyllur dhe raporti me sugjerime ishte dërguar në institucionet përkatëse në Shkup, ku edhe mund të drejtohemi. Menjëherë pas telefonatës shkuam në Shkup, ku e kërkuam shkresën e dërguar nga Beogradi”, ka rrëfyer për atë kohë, ef. Saliu, për të shtuar se raporti vërtet ishte dërguar, por me qëllim apo pa qëllim nuk dërgohej në Tetovë.
Në atë shkresë nga Beogradi shkruante se Xhamia e Sahatit ka marrë leje për rinovim, ndërsa objekti merret nën mbrojtjen e shtetit, sikurse Xhamia e Pashës (e Larme) në Tetovë. Kjo i kishte gëzuar mjaft shumë dhe këtë punë nuk mund ta ndalte më tutje as Shkupi e as Tetova. Atëherë ishte bërë rinovimi i nevojshëm, që po i reziston kohës deri në ditët e sotme.
Sali Efendiut i kujtohej një detaj nga ajo kohë: “Derisa shkonim duke trokitur nëpër shumë zyra të shtetit në Tetovë, Shkup apo Beograd, disa më thoshin që ta heq çallmën e imamit nga koka, por kam qenë këmbëngulës dhe asnjëherë nuk e kam hequr, sepse për mua kjo ishte njësoj sikur të heq vetë kokën. M’u kujtua një hadith i Pejgamberit tonë (s.a.s), i cili ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit (nijetit), andaj derisa njeriu e ka qëllimin e pastër, Allahu çdo herë është me të”.
Vjetërsia e Xhamisë së Sahatit
Po të mos ishte ai angazhim i xhematit të Xhamisë së Sahatit, në krye me imamin e atëhershëm, Sali Efendiun, dyzet vjet e më parë, sot nuk do të ishte kjo xhami në Tetovë, vjetërsia e së cilës matet me disa shekuj. Sali Efendiu ka thënë se për historinë e Xhamisë së Sahatit ekzistojnë të dhëna të dokumentuara edhe nga ulemaja e kohës, Qemal Efendiu, i cili i kishte rrëfyer për të kaluarën e kësaj xhamie dhe fjalët e tij i kishte shënuar me kohë. Sipas të dhënave, Xhaminë e Sahatit e ka ndërtuar Abdulgani Muslihuddini, i cili paskësh ndërtuar edhe Kurshumli Hanin në Shkup.
Ekziston edhe e dhëna se Xhamia e Sahatit është ndërtuar në vitin 1486 (sipas Hixhrit, në vitin 908) nga ana e Abdulselam Muslihuddinit. Këto të dhëna janë marrë nga mbishkrimi i varrit, i cili gjendet në oborrin e Xhamisë së Sahatit. Në këtë oborr gjenden edhe disa varreza të tjera, për të cilat nuk ka të dhëna të sakta. Vlen të përmendet varri i Dervish Huseinit dhe i gruas së Abdulgani Muslihuddinit. Xhamia e Sahatit e merr emrin nga Kulla e Sahatit, e cila ka qenë përballë saj, në pjesën perëndimore. Afër Kullës së Sahatit ka pasur edhe një Medrese, e cila është rrënuar në vitin 1926.