Shtetet e Bashkuara kanë këshilluar të gjithë shtetasit amerikanë që ta shqyrtojnë “largimin e menjëhershëm” nga Rusia përballë anulimeve të fluturimeve dhe mbylljes së hapësirave ajrore të një numri të madh shtetesh për aeroplanët rusë, si përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë.
“Një numër në rritje i kompanive ajrore po anulojnë fluturimet drejt dhe nga Rusia, dhe shumë vende kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për kompanitë ruse”, ka njoftuar sot ambasada amerikane në Rusi në ueb-faqen e saj.
“Shtetasit amerikanë duhet të mendojnë të largohen menjëherë nga Rusia përmes opsioneve komerciale ende të disponueshme”, rekomandohet tutje.
Ambasada përkujton po ashtu se Departamenti i Shtetit ka këshilluar shtetasit amerikanë që të mos shkojnë në Rusi./CNN