https://portalb.mk/787409-ja-cfare-nuk-realizoi-kasami-brenda-100-diteve-ne-krye-te-tetoves-video/
Ndonëse me 11 shkurt u bënë 100 ditë që kur Kasami mori mandatin zyrtarisht si kryetar i Komunës së Tetovës, llogaritja e 100 ditëve nga ana e tij nuk u bë në këtë mënyrë. Kasami 100 ditëshin e ka llogaritur që nga data kur prezantoi planin programin për këto 100 ditë, konkretisht me 16 nëntor, që sipas kësaj llogaritjeje nesër mbushen 100 ditë, shkruan Portalb.mk.
Kasami sot përmes një konference për shtyp prezantoi atë se çfarë realizoi gjatë kësaj periudhe. Në planprogramin e Kasamit për këto 100 ditë kishte 31 pika, prej të cilave disa u realizuan e disa jo.
“Përkundër vështirësive të shumta, borxhit enorm dhe një kaosi të trashëguar, ne dalëngadalë, duke përmbushur një nga një premtimet në këtë 100 ditësh, po arrijmë me shumë mund dhe përkushtim ta vendosim komunën në koordinata tjera funksionimi, po arrijmë që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha ato probleme të shtresuara ndër vite. Ne jemi krenarë që brenda 100 ditëshit kemi arritur që t’iu japim zgjidhje të gjitha atyre problemeve që i kishim vendosur si prioritetet për këtë kohë, gjithnjë duke besuar se secili hap i joni në drejtim të përmbushjes së premtimeve do të thotë jetë më e mirë për gjithë qytetarët e Tetovës”, tha Kasami.
Sot Portalb.mk ju sjell atë se çfarë (nuk) u realizua dhe çfarë (nuk) është duke u realizuar brenda këtyre pikave.
Premtimet e parealizuara:
- Aksion mbarë qytetarë për largimin e të gjitha mbeturinave të hedhura nëpër rrugë dhe hapësira publike.
Shpjegim: Në terren nuk është ndërmarrë aktivitet, kjo pikë ishte e paraparë të realizohet me 27 nëntor por si shkak i tragjedisë në Bullgari të aksidentit u pezullua për më vonë dhe deri tani nuk është realizuar, sipas informative jozyrtare ky aksion do të realizohet në muajin maj.
- Vendosja e kontejnerëve që do klasifikonin mbeturinat (qelq, mbetje organike apo diçka tjetër).
Shpjegim: Nga hulumtimi në terren, nuk vërejtëm kontejnerë shtesë të vendosur gjatë kësaj periudhe për klasifikim të mbeturinave dhe për diçka të tillë Komuna nuk ka informuar.
- Riparimi i mundshëm i kontejnerëve ekzistues-bërja e tyre funksional vendosja e kontejnerëve shtesë në pikat me mbeturina të tepërta, rregullimi i vendndodhjes së kontejnerëve dhe rregullimi i qasjeve rrugore duke larguar automjetet në afërsi të tyre.
Shpjegim: Nga hulumtimi në terren, pikat e lartpërmendura nuk janë realizuar, pasi ka kontenjerë të cilët janë të dëmtuar, me rrota të thyera dhe të përmbysura, nuk kishte kontejnerë shtesë dhe as rregullimi i vendndodhjes së tyre nuk ishte bërë sepse në disa vende ende ka vetura në afërsi të kontenjerëve. Ndërkaq për këtë pikë Kasami sot u përgjigj kështu: “Riparimi i kontenjerëve është punë permanente të cilën nga ardhja jonë e bën ndërmarrja dhe kemi informuar opinionin përmes ndërmarrjes. Sa i përket kontenjerëve shtesë, ja sot ekskluzivisht informoj opinionin se kemi një delegacion nga Konja e Turqisë që kanë premtuar të përkrahin ndërmarrjen komunale me së paku 100 kontenjerë dhe përkrahje tjetër sa i përket furnizimit të mjeteve shtesë që ka të bëjë me kamionë dhe mjete tjera shtesë për ndërmarrjen, presim vizitën e tyre dhe të shohim ofertën e tyre për përkrahje.”
- Rrethimi i burimit të ujit të pijshëm në hapësirat e Leshnicë (Lajthizës).
Shpjegim: Burimet e Portalb.mk thonë se kjo nuk është realizuar pasi ka borë, ndërkaq Kasami tha se po, duke u përgjigjur kështu: “Rrethimi, ne kemi plasuar foto në opinion që është bërë por nëse flasim për komplet projektin e Leshnicës fatkeqsisht nuk kemi gjetur elaborat për mbrojtjen e burimeve që ka të bëjë me Leshnicën. Sa i përket vendit ku është kaptazha e burimit është e mbrojtur”. Kërkuam dëshmi por deri në këtë moment ata nuk na siguruan. Kërkuam edhe fotografi në faqen e facebookut të Komunës dhe NPK-së, por nuk gjetëm. E vlerësojmë si të parealizuar deri sa të ketë dëshmi konkrete.
- Sanksione-gjoba financiare (përgjegjësi ligjore) për të gjithë ndotësit e ambientit jetësor me mbeturina jashtë kontejnerëve përkatës apo djegien e tyre.
Shpjegim: Këtë premtim e vlerësojmë si të parealizuar pasi deri tani nuk ka të shqiptuara gjoba financiare për ndotësit e mjedisit. Kasami sot u shpreh se janë duke e kompletuar kapacitetin kadrovik të inspektoratit dhe fillimisht do të shkohet me sensibilizim dhe informim të qytetarëve, pastaj me sanksione për ata ku do të konstatohet shkelje.
Premtimet pjesërisht të realizuara:
- Identifikimi i borxhit të komunës dhe publikimi në ueb-faqe dhe hapësira publike.
Shpjegim: Me 24 nëntor Kasami publikoi borxhin e Komunës së Tetovës i cili në total është 24 milion euro, prej të cilave Komuna ka mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro. Ndërkaq, me 15 dhjetor ky borxh u ngjit edhe në billborde në Tetovë. Ndërkaq në ueb-faqen e Komunës borxhi nuk është publikuar ende. Andaj për shkak se kjo e fundit nuk është bërë, e cilësojmë si pjesërisht të realizuar premtimin.
- Mbartja e mbeturinave në kohë, pastrimi, larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve gjatë natës.
Shpjegim: Ky premtim është pjesërisht i realizuar pasi në terren mbeturinat herë barten në kohë e herë jo kështu duke u mbushur kontejnerët përplot dhe duke bllokuar trotuaret, ndërkaq pastrimi, larja e bulevardeve, rrugëve dhe trotuareve gjatë natës bëhet rregullisht nga punonjësit e NPK Tetova. Mbartjen e mbeturinave në kohë Kasami e prezantoi si të ralizuar, por nga situata në terren nuk mund të thuhet kjo pasi vazhdimisht koshet mbushen përplot dhe duhet të bëhet bartje më e shpeshtë, andaj këtë premtim e vlerësojmë si pjesërisht të realizuar.
- Trotuare dhe hapësira publike të lira. Pronarëve të shitoreve nuk do ju lejohet ekspozimi i mallrave dhe produktet në hapësira publike trotuar, rrugë apo hapësira jo adekuate për shitje.
Shpjegim: Trotuaret përreth Tregut të Gjelbër u liruan me 20 dhjetor, ku shitësit u futën brenda tregut, tani vetëm të enjteve shesin jashtë tregut. Nga hulumtimi në terren nëpër rrugët kryesore të qytetit dhe ata të cilat komuna i prezantoi se zbatohen këto rregulla, vërehet se situata nuk është si më përpare kur trotuaret në disa pjesë ishin komplet të bllokuara, por ende ka pjesë në të cilat shitësit ekspozojnë mallra në trotuare por në sasi më të vogël andaj edhe këtë premtim e vlerësojmë si pjesërisht të realizuar.
- Pronarëve të dyqaneve nuk do ju lejohet rezervimi i parkingjeve para dyqaneve të tyre. Ato do të duhet të sinjalizojnë një hapësirat hyrëse nëse presin furnizime me mallra.
Shpjegim: Gjatë hulumtimit në terren, shihet se në rrugët kryesore rezervimi i parkingjeve para qyqaneve nuk ishte si më parë, por përsëri ka mangësi dhe shitës të cilët vendosin shenja për rezervim të parkingut para bizneseve të tyre, andaj edhe ky premtim është pjesërisht i realizuar.
- Lehtësimi i komunikacionit urban duke krijuar skemën e rrugëve njëkahëshe, duke vendosur sinjalizimet adekuate dhe kontrollin adekuat policor.
Shpjegim: Me 20 dhjetor filluan aksionet për rregullimin e komunikacionit në pjesët qendrore të qytetit. Policia e Tetovës nuk lejon veturat të parkohen ilegalisht, konkretisht në bulevardin e Ilindenit dhe rrugën “Marshall Tito. Sipas SPB Tetovë numri i total i gjobave të shqiptuara për periudhën nëntor 2021, dhjetor 2021 dhe janar 2022 është 4,737 ndërkaq në nëntor 2020, dhjetor 2020 dhe janar 2021 është 2,993. Me 20 janar filloi zbatimi i rregullores së re për rrugët njëkahëshe, ku për këta u vendos sinjalistikë adekuate. Por, sot Kasami tha se nuk kanë bashkëpunim aq të mire me SPB- Tetovë, ku tha se shenjat te Eski Xhamia Komuna i ka vendosur dhe Sektori për Punë të Brendshme ka kërkuar që të largohen. Ndërsa nga kjo e fundit për Portalb.mk thanë se pëlqimin për rrugët njëkahshe komuna e ka marrë para pesë ditëve nga SPB- Tetovë, kështu duke shtuar se shenjat e vendosura më herët kanë qenë pa pëlqim, ndërsa kur policia ka dale në terren dikush ka larguar shenjat dhe kanë qenë vetëm shtyllat.
- Ndalimi i qarkullimit komionëve edhe mjeteve transportuese të rënda gjatë ditës në qytet
Shpjegim: Në hyrje të rrugëve kryesore Brenda qytetit janë vendosur tabela kufizuese të cilat ndalojnë qarkullimin e mjeteve të rënda Brenda qytetit nga ora 8 në mëngjes deri ora 19 në mbrëmje, gjithësesi në qytet herë pas here vërehen të kalojnë këta automjete.
Premtimet e realizuara:
- Raportim tremujor i kryetarit të komunës rreth kondicionit buxhetor të komunës së Tetovës.
Shpjegim: Kasami për raportin foli sot gjatë një konference për shtyp, në mes të cilave foli edhe për buxhetin dhe borxhin e Komunës ku tha se që nga ardhja në krye të Komunës e deri më sot borxhi është zvogëluar për rreth 1 milion euro.
- Detektimi dhe rishikimi i të gjitha kontratave të kundërligjshme me pasoja financiare për komunën.
Shpjegim: Kasami me të ardhur në krye të komunës ndërpreu të gjitha kontratat në vepër dhe më pas publikoi listën e të gjithë kontratave në vepër për vitin 2021.
- Transmetimi Direkt i seancave të Këshillit komunal.
Shpjegim: Të gjitha seancat e këshillit komunal deri më sot janë transmetuar direkt përmes livestramingut në faqen e Komunës në Facebook.
- Mbyllja e të gjitha punimeve të hapura të infrastrukturës rrugore në komunën e Tetovës.
Shpjegim: Një nga veprimet e para të cilat Kasami mori me të ardhur në krye të komunës ishte ndërprerja e të gjitha punimeve infrastrukturore në rrugë, kanalizim e ujësjellës nën dyshimin se po kryhen pa standard, për të vazhduar pastaj aty ku ka hapësira për t’u përfunduar.
- Largimi i shtyllave (sinjalizuese) të korsive për biçikleta.
Shpjegim: Me 17 nëntor u larguan shtyllat sinjalizuese të korsive për biçikleta, pasi për këtë projekt Komuna ka proces gjyqësor. Madje ai ka dorëzuar edhe padi në prokurori kundër ishkryetares Tetuta Arifi për këtë projekt, pasi i njëjti është realizuar në kundërshtim me ligjin.
- Parkingu i qytetit përkohësisht pa pagesë
Shpjegim: Ky premtim i Kasamit u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme. Parkingu pa pagesë ka zgjatur nga 16 nëntori deri me 1 dhjetor, që i bie dy javë apo konkretisht pesëmbëdhjetë ditë.
- Orar fleksibil i fillimit të punës nga ora 7.30 gjer ora 8.30 dhe mbarimit të punës nga orën 15.30 gjer në ora 16.30.
Shpjegim: Komuna e Tetovës me 21 janar në përputhje me Kontratën Kolektive për të punësuarit në vetëqeverisjen lokale vendosi vendosur orar fleksibil i punës prej 8 orëve në ditë, orari i plotë i punës fillon ndërmjet orës 7:30 dhe 8:30, kurse përfundon ndërmjet orës 15:30 dhe 16:30.
- Zero tolerancë për të punësuarit fiktiv dhe keqpërdoruesit e mjeteve publike
Shpjegim: Kasami me të ardhur në krye të komunës ndërpreu të gjitha kontratat në vepër dhe më pas publikoi listën e të gjithë kontratave në vepër për vitin 2021.
- Largimi i veturave dhe mjeteve tjera jo funksionale të parkuara me vite nëpër trotuare, rrugë apo vende tjera publike.
Shpjegim: Nga kontrolli në terren në rrugët kryesore të qytetit, nuk vërejtëm askund vetura dhe mjete tjera jofunksionale të parkuara andaj këtë premtim e vlerësojmë si të realizuar. Madje edhe komuna me 12 shkurt realizoi aksion për largimin e veturave të vjetëruara dhe të papërdorshme të cilat ishin të parkuara në hapësirat e parkingjeve.
- Qeverisje përmes qytetarëve – komunikim të drejtpërdrejtë dhe grumbullim ideshë në kohë reale nga qytetarët. Të premten e çdo fundmuaji kryetari i komunës dhe bashkëpunëtorët e tij do të realizojnë takim të hapura me qytetarët rreth ideve dhe kërkesave reale të tyre.
Shpjegim: Deri më tani Kasami ka realizuar disa takime me grupe të ndryshme të qytetarëve dhe mërgimtarët, këtë premtim e vlerësojmë si të realizuar pasi takimet janë bërë, por jo ditëve të premte ashtu si u tha. Deri më tani ka pasur tre debate publike në Komunë.
- Përpilimi i një strategjie për zgjidhje afatgjate të problemit me qentë endacak.
Shpjegim: Gjatë debatit publik për buxhetin e komunës së Tetovës për vitin 2022 udhëheqësi i sektorit për veprimtari komunale tha se për këtë vit planifikojnë ndërtimin e strehimores për qentë endacak që është në vlerë prej 2 milionë denarëve. Komuna tani më ka krijuar edhe propozim planin për këtë problematikë, ngelet të realizohet. Bazuar në premtimin e dhënë pasi parashihet vetëm përpilimi, e vlerësojmë sit ë realizuar.
- Rishikimi i planit gjeneral urbanistik dhe atyre detale urbanistike.
Shpjegim: Me 12 janar u mbajt takim ndërmjet përfaqësuesve të sektorit, përfaqësuesve të MPB- stacionit policor për sigurinë e komunikacionit rrugor, përfaqësues të Kkëshillit komunal, përfaqësues të lëmive të ndryshme që kanë të bëjnë me projektimim urbanisitik, inxhinerik, gjeodezik. U konkludua që të rishikohet dokumentacioni ekzistues dhe vazhdimi i procedurave të dokumentacionit deri në marrjen e lejeve dhe realizimin e të njëjtave. Ndërsa me 22 janar në Komunë së bashku me komisionin e urbanizmit u diskutua rreth planit gjeneral urbanisitik dhe planeve tjera detale urbanistike. Me 15 shkurt në komunë nga sektori i urbanizmit dhe inxhinierëve komunal u diskutua për elabtoratin dhe pezullimin e bllokut urban 57/A ndërsa dje u mbajt edhe debat publik për këtë.
Premtimet që janë duke u realizuar:
- Përcaktimi i dy lokacioneve – pikave grumbulluese të mbeturinave inerte, mobiljeve dhe orendive të ndryshme.
Shpjegim: Kasami sot para mediave njoftoi se lokacioni i parë është në Falisht ndërsa lokacioni i dytë është në kuadër të Zhvillimit të rajonit të Pollogut dhe propozimi fillestar ka qenë të jetë në komunën e Bogovinës, ku Komuna ende nuk ka përgjigje se a ka pajtueshmëri për këtë lokacion të dytë, bëhet fjalë për një investim privat. Andaj këtë premtim e vlerësojmë se është në procedure të realizimit.
- Rregullimi dhe kontrollimi i komunikacionit urban. Do angazhohemi maksimalisht në ngritjen e vetëdijes së vozitësve dhe këmbësorëve që të respektojnë rregullat e sjelljes në komunikacion (si shpejtësia, rregullat e qarkullimit në rrethe, mënyrat e ndalesave dhe parkingut etj.) që mos shkaktohen tollovi me rreziqe në komunikacionit si dhe cenimin e jetës së këmbësorëve.
Shpjegim: Me 11 janar komuna e prezantoi planin për krijimin e gjithsej 3,090 parkingjeve të reja të cilat parashihen të realizohen gjatë këtij viti. Ndërkaq, policia e komunikacionit ka intensifikuar kontrollet në komunikacion, sipas SPB Tetovë numri i total i gjobave të shqiptuara për periudhën nëntor 2021, dhjetor 2021 dhe janar 2022 është 4,737 ndërkaq në nëntor 2020, dhjetor 2020 dhe janar 2021 është 2,993. Komuna njoftoi gjithashtu se së shpejti do të fillojnë aktivitete për sensibilizim të qytetarëve për respektimin e rregullave në komunikacion. Këtë premtim e vlerësojmë se është në procedurë të realizimit pasi ka filluar të punohet në këtë drejtim.
Premtimet jokonsekuente (të pamatshme):
Pikat e poshtëshënuara nuk ka mundësi që të verifikohen në terren andaj për këtë kërkuam nga Komuna që të na njoftojnë se çfarë është bërë për këto pika, pasi nuk kemi mundësi si t’i kontrollojmë edhe pse Komuna njoftoi se po punohet në drejtim të tyre, derisa nuk kemi nga Komuna fakte konkrete i vlerësojmë si të pamatshme.
- Ngritjen e aftësive profesionale dhe forcimin e kompetencave teknike, drejtuese dhe kontrolluese të administratës komunale. (Duke organizuar trajnime në tema profesionale nga ekspert të fushave nga dy universitetet e Tetovës).
Shpjegim: Komuna e Tetovës për Portalb.mk njofton se kjo si pikë ka filluar dhe është në fazën fillestare, por që të realizohet në tërësi do të duhet kohë më e gjatë.
- Çdo sektorët komunal që i ka grumbulluar lëndët ndër vite duke mos i proceduar ato në kohë në shërbim të qytetarëve do organizohen të punojnë me orar të zgjatur për të proceduar ato.
Shpjegim: Nga Komuna për Portalb.mk njoftojnë se janë procesuar shumë lëndë të mbetura ndër vite ku administratorët kanë punuar me kohë të gjatë, duke u nisur nga sektori I urbanizmit, financave, njësia për taksa dhe tatime, inspektorati.
- Rishikimi i përshkrimit të vendeve të punës (nëse do jetë e nevojshme do realizohet edhe ri-sistematizim i vendeve të punës). Do rishikohet mundësia e krijimit të një sistemi të matjes së performancës së punës së administratorëve dhe kompensimi në paga.
Shpjegim: Komuna njofton se “rishikimi i përshkrimit të vendeve të punës dhe krijimi i kushteve sa më të mira për punën e administratës ka filluar si proces, me gjetjen e vendeve, pra zyrave në hapësirat e UEJL-së, poashtu është në proces edhe përpunimi dhe sistematizimi i ri, ndërkohë të gjithë administratorët e komunës janë të sistemuar dhe të angazhuar me punë konform asaj që e paralajmëruam në fillim të mandatit”.
- Përforcimi i kapaciteteve të komisionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim që për një afat sa më të shkurt të zgjidhen të gjitha lëndët aktive të pa zgjidhura.
Shpjegim: Kështu u përgjigj Komuna për këtë pike: “Edhe në këtë pikë është intervenuar siç është paraparë në planin tonë për 100 ditë qeverisje. Legalizimi është proces në vete edhe pse në fillim kemi pengesa në kuadrot e administratës dita ditës përmirësohet dhe po punohet intenzivisht”.
- Detektimi i lejeve të dyshimta dhe ndërprerja e ndërtimeve pa leje.
Shpjegim: Nga Komuna njoftojnë se kjo pikë ka filluar me implementim dhe për momentin është duke u proceduar që pastaj të do të dilet në teren që të zbatohet.
- Riorganizimi dhe përforcimi i kapaciteteve të qendrës për ZHEL.
Shpjegim: Komuna për Portalb.mk konfirmon se kanë nënshkruar marrëveshje me UEJL ku bashkë me ekspertë dhe profesorë do të hartohen projekte që do të financohen nga IPA fondet. “Në këtë drejtim besojmë se do të mund të aplikojmë me më shumë projekte në ipa fondet dhe institucionet tjera financiare. Tashmë jemi në pregaditjen e aplikimeve për IPA3 me Republikën e Kosovës”, thonë nga Komuna.
Kjo është metodologjia e vlerësimit të premtimeve:
- I parealizuar: Në qoftë se premtimi i dhënë nuk ka asnjë aktivitet, gjegjësisht asgjë nuk është realizuar deri në afatin e dhënë.
- Pjesërisht i realizuar: Janë bërë disa aktivitete për realizimin e premtimit.
- I realizuar: premtimi është realizuar në tërësi.
- Duke u realizuar: ka filluar të punohet në realizimin e premtimit.
- Jo konsekuente: Premtim për të cilin nuk ekziston mundësi që të kontrollohet.
Ndryshe, brenda 100 ditëve u realizuan edhe punë tjera jashtë këtyre pikave të cilat mund t’i gjeni KËTU.