Kuvendi ka nënshkruar marrëveshje në fund të janarit me Telekomin për t’u furnizuar me 270 telefona celularë me biseda dhe internet pa limit, marrëveshje e cila do t’i kushtojë qytetarëve rreth 200 mijë euro.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, në një prononcim për gazetën LAJM, tha se procedura e furnizimit është udhëhequr nga kryetari i parlamentit dhe se për këtë nuk janë konsultuar deputetët. Ai u shpreh se nuk ka nevojë për telefon nga Kuvendi dhe se sqaroi përdor celularin e tij privat.
“Sigurisht që kjo është procedurë që është udhëhequr nga kryetari i parlamentit. Ne si deputetë as nuk kemi qenë të konsultuar, por deri tani nuk kemi pranuar asnjë aparat telefonik ose diçka të tillë. Personalisht unë si deputetë edhe numrin e parë që e kemi pas nga ana e Kuvendit, unë i kam kthyer edhe aparatin edhe numrin e telefonit për shkak se nuk kemi pas nevojë për një gjë të tillë sepse kemi pas numra që i kemi përdorë në të kaluarën dhe nuk kemi parë ndonjë nevojë për të ndonjë instrument plotësues. Besoj që rreth kësaj çështje do të duhet të drejtoheni te kryetari i parlamentit sepse deputetët janë të përjashtuar nga vendimet e kësaj natyre.”
LAJM: A do t’i refuzoni edhe pajisjet e reja?
Elmi Aziri: Personalisht, po.