Mes paralajmërimeve të zymta për një sulm rus në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara janë duke evakuuar me urgjencë diplomat e trupa nga vendi, ndërsa qytetarëve amerikanë atje i është bërë e qartë se duhet të largohen menjëherë, në të kundërt, do të mbeten aty në mëshirë të fatit.
“Nuk është thjesht koha për të lënë Ukrainën. Është kohë e kaluar për qytetarët amerikanë që të lënë Ukrainën”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Ambasada amerikane në vend njoftoi se stafi i saj është larguar tashmë, me përjashtim të personelit të emergjencës. Pentagoni njoftoi se ka tërhequr edhe 160 ushtarë të Gardës Kombëtare të Floridës, ndërsa të vetmit mes pranisë ushtarake amerikane në vend. Zyrtarët ukrainas nuk e fshehin pakënaqësinë me deklaratat amerikane për rrezik të madh, dhe insistojnë të ruhet qetësia.
Një sondazh i fundit tregon se shumica e amerikanëve do të preferonin që SHBA të mos përzihej në situatën e krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë. Megjithatë, kur vjen fjala tek vlerësimi për qasjen e presidentit Joe Biden ndaj Ukrainës, këtu reagimet janë të ndryshme.
Demokratët dhe disa të pavarur mendojnë se ajo është e drejtë, ndërsa republikanët e konsiderojnë si “shumë miqësore” ndaj Putinit, në një kohë kur Bideni vetë ishte një zërave më të fortë që akuzoi paraardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump për këtë gjë.