0.8 C
Tetovo
E shtunë, 18 Janar, 2025
BallinaLajmeBotaDaniel Serwer: Pushtimi eventual i Ukrainës do të rriste aktivitetin rus në...

Daniel Serwer: Pushtimi eventual i Ukrainës do të rriste aktivitetin rus në Ballkan

Në rast se Rusia e pushton Ukrainën në një luftë eventuale, aktivitetet e saj për destabilizim të Ballkanit do të rriteshin, ka deklaruar profesori i universitetit “John Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer.

Ai, në një intervistë për KOHËN, ka thënë se suksesi apo mossuksesi i Rusisë në konfliktin me Ukrainën do ta determinonte të ardhmen ruse në Evropë.

“Nëse ndërhyrja ruse do të ishte e suksesshme, do të inkurajonte rritjen e aktiviteteve të saj në Ballkan, që synojnë ndarjen dhe destabilizimin etnik. Nëse nuk do të kishte sukses, mund të ishte fillimi i fundit të ringjalljes ruse në Evropë”, tha ai.Serwer, njohës i çështjeve të Ballkanit, e vlerëson si të qëlluar qëndrimin pro Ukrainës, të shprehur nga Kosova.

Ka folur edhe për procesin e dialogut në këtë aspekt.

“Dialogu është në gjendje të keqe. Serbia tashmë ka mbështetur Rusinë në Ukrainë. Pajtohem me qëndrimin e Kosovës pro Ukrainës”, ka deklaruar Serwer.

Qëndrimi i institucioneve të Kosovës pro Ukrainës në këtë fazë të tensioneve, sipas profesorit amerikan, nuk do të ndikojë në rritjen e presioneve të Serbisë. Sipas tij, Serbia tashmë po bën presion “aq sa po mundet”.

Tensionet e krijuara mes Ukrainës dhe Rusisë kanë nxitur reagime të shumta nga shtetet perëndimore. Pjesa dërrmuese i kanë dalë krah Ukrainës, duke e kërcënuar Rusinë me sanksione në rast se kryen pushtimin.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se edhe nëse Rusia do ta pushtojë Ukrainën, nuk do të dërgojë trupa. Ai ka deklaruar ditë më parë se aleanca është e fokusuar në ofrimin e mbështetjes, mirëpo, sipas tij, ka dallim në mes të një vendi që është anëtar i NATO-s dhe një vendi “të vlefshëm partner siç është Ukraina”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar homologut të tij rus, Sergei Lavrov, t’i tërheqë trupat e saj nga kufijtë e Ukrainës, derisa ia ka përmendur “pasojat e rënda” në rast se do ta pushtonte Ukrainën.

Për tensionet e krijuara në kufijtë e Ukrainës, BE-ja zyrtare ka thënë se Rusia duhet ta pranojë kërkesën e SHBA-së për të dialoguar. Sipas përfaqësuesit të lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell, BE-ja është unike me qëndrimin e SHBA-së.

“Rruga diplomatike ofron zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për popullin e Ukrainës dhe popullin e Evropës. I bëj thirrje Rusisë ta marrë atë. BE-ja dhe SHBA-ja janë të bashkuara në qasjen tonë”, ka shkruar Borrell ditë më parë në rrjetin social Twitter.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments