Komanda Evropiane e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, e njohur me akronimin SOCEUR, ka njoftuar të enjten që do të themelojë një bazë ushtarake në Shqipëri për të rritur efikasitetin e pranisë së saj.
Gjeneralmajor David H.Tabor, komandat i SOCEUR, tha se vendosja e bazës në Shqipëri mundëson forcimin e partneriteteve me aleatët e Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në rajon dhe “rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”.
“Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”, tha David H.Tabor.
SOCEUR theksoi se ky shtab pararojë do të funksionojë me rotacion.
Ambasada amerikane në Tiranë e quajti këtë vendim një “gurthemel për stabilitetin rajonal”.
Great to start the new year with significant development in ?? ?? defense relationship. First time ?? is locating an HQ of this type in ??. Important for regional security. https://t.co/9zYcM9cQtk
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) January 6, 2022
Kryeministri Edi Rama e quajti këtë zhvillim si një super-lajm.
“Është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë. Shprehje e një bashkëpunimi shumë të afërt e me këtë rast dua ta falënderoj publikisht, diçka që nuk e kam fort me qejf, të them të drejtën, kur e bëj por kur duhet bërë duhet bërë, sepse ambasadorët bëjnë detyrën e tyre dhe kjo mania e falënderimit të ambasadorëve është diçka nga e cila ne duhet të ndahemi, por realisht ambasadorja Yuri Kim duhet falënderuar për lehtësimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi . Po e prisnim me padurim daljen e këtij lajmi kaq të mirë, edhe për ata që na qahen, “ku i kemi armët, ku i kemi helikopterët, ku i kemi pushkët, ku i kemi koburet”. Ne jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por jemi tanimë një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë”, tha Rama.