2.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBilall Kasami kërkon zgjedhje: BESA iku nga një Qeveri antidemokratike

Bilall Kasami kërkon zgjedhje: BESA iku nga një Qeveri antidemokratike

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, thotë se kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e kanë dëmtuar shtetin në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian. Partia e Kasamit që doli nga koalicioni qeveritar në shtetin fqinj duke i lënë pa shumicë parlamentare partnerët, thotë se formimi i Qeverisë së re do të jetë i vështirë, prandaj kërkon zgjedhje të reja.

Maqedonia e Veriut është në pritje të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, por Kasami thotë se vendimi i tyre për largim nga koalicioni qeveritar nuk e ka dëmtuar rrugëtimin e shtetit në këtë proces.

“Dështimi i BDI-së për të pranuar vlerat bazë të demokracisë, votën e lirë të qytetarëve dhe dorëheqja e kryeministrit pa i konsultuar partnerët ndërkombëtarë më shumë e dëmtuan Maqedoninë e Veriut dhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian se sa vendimi i Lëvizjes Besa për të lëshuar një Qeveri nga ne të vlerësuar antidemokratike dhe antipërendimore”, thotë Kasami.

Pas daljes së Lëvizjes Besa nga Qeveria, partia Alternativa iu bashkua koalicionit qeveritar duke rikthyer numrat te shumica që tashmë ka 64 deputetë.

Qeveria e re pritet të votohet në Kuvend në mesin e këtij muaji por Kasami thotë se zgjidhja do të ishte shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

“Do ta ketë shumë vështirë mandatari i ri të formojë Qeverinë sepse është një situatë shumë diskutabile, pozita në të cilën gjendet Maqedonia e Veriut në kohën kur ne kemi dy marrëveshje të rëndësishme të realizuara me fqinjët, me Greqinë për çështjen e emrit dhe me Bullgarinë marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, ne kemi situatë të rënduar ndër etnike në Maqedoninë e Veriut, kur kemi kështu pozicionime dhe shitblerje të partive politike dhe të deputetëve, pra në këto rrethana kur krijohen kështu situata diskutabile dhe problematike unë vlerësoj që kushdo që të jetë mandatari i ri do ta ketë vështirë të formojë një koalicion të shumicës dhe një koalicion për të bërë Qeverinë. Besoj se në këto rrethana e vetmja zgjidhje për Maqedoninë e Veriut janë zgjedhjet sa më të shpejta”, thotë Kasami.

Kasami thotë se relacionet në mes të partnerëve të koalicionit nuk ishin në nivelin e dëshiruar dhe sipas tij, kjo kulmoi me problemet e Lëvizjes Besa me BDI-në në zgjedhjet lokale, dhe me dorëheqjen e kryeministrit Zaev pas disfatës që e përjetoi partia e tij në zgjedhjet lokale.

“Largimi i tij (Zaev) e solli Qeverinë në një moment kur Bashkimi Demokratik për Integrim, partneri i dytë i koalicionit, kishte tentim që një komunë në të cilën garonim ne në balotazh Lëvizja Besa dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, komunën e Zhelinës, edhe përkundër faktit që fitoi Lëvizja Besa, ata donin që në mënyrë administrative ta ndërrojnë rezultatin dhe vullnetin e popullit. Ne ja bëmë me dije qartë kryeministrit në dorëheqje në atë kohë Zoran Zaev që këtë nuk do ta tolerojmë, nëse BDI mundohet me metoda jodemokratike të ndryshojë rezultatin zgjedhor duke pasur parasysh që bëhet fjalë për dy partnerë të Qeverisë ne nuk kemi më çka të kërkojmë në një Qeveri të tillë kur tentohet që të merret një komunë me metoda jodemokratike”, thotë Kasami.

Në një intervistë për KosovaPress, Bilall Kasami që udhëheq me Tetovën, flet edhe për gjendjen e trashëguar në komunë që më parë qeverisej nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Vitin e kaluar, Tetova ishte tronditur nga ngjarja e ndodhur në spitalin modular i cili kishte marrë flakë derisa aty po trajtoheshin pacientet e prekur me COVID-19.

Çështja po trajtohet nga organet e hetuesisë, ndërsa kryetari i zgjedhur i Tetovës, Bilall Kasami thotë se në vend ka realizim skandaloz të projekteve infrastrukturore çka për pasojë, sipas tij, shkakton incidente të tilla.

“Tani kur në formë më të drejtpërdrejtë po ballafaqohem me mënyrën e realizimit të projekteve publike, projekteve infrastrukturore shoh që vërtetë jemi në dorë të Zotit, sepse politikanët dhe udhëheqësit na kanë harruar plotësisht. Është një situatë kur kemi realizim skandaloz të projekteve publike, projekteve infrastrukturore dhe tani po bindem edhe më shumë se ajo që na ka ndodhur me spitalin modular në Tetovë nuk ka qenë rastësi, nuk ka qenë pra një situatë që mund të ndodh dhe ndodh gjithandej në botë, por ka qenë thjeshtë lëshime të cilat janë bërë në të gjithë menaxhimin e ndërtimit të atij spitali dhe të them kualitetit të investimeve publike të cilat bëhen në përgjithësi kur i shoh se me çfarë kualiteti janë realizuar investimet infrastrukturore dhe publike në komunën me të cilat udhëheq”, thotë Kasami.

Kasami thotë se komunën e ka gjetur në një situatë kaotike, duke thënë se Tetova nuk e ka merituar një menaxhim të dobët.

“Tetova dhe tetovarët nuk e kanë merituar një menaxhim kaq të dobët, një menaxhim që ndoshta edhe armiku më i pamëshirshëm do ta kishte dashur për Tetovën. Tetovën e kemi gjetur në një gjendje kaotike sa i përket aspektit financiar organizativ dhe aspektit të ofrimit të shërbimeve të institucionit Komunë ndaj qytetarëve të vet. Ne kemi pasur një situatë kur Tetova vetëm për diku jo më shumë se katër vite ka gjeneruar një borxh mbi 10 milionë euro, në të njëjtën kohë kur nuk kemi një projekt infrastrukturor të mirëfilltë i cili ka zgjidhur në problem për qytetarët, për tetovarët”, thotë kryetari i Tetovës.

Kasami thotë se prioritet e kanë furnizimin e qytetarëve 24 orë me ujë të pijshëm dhe rregullimin e komunikacionit që ndërlidhet edhe me transportin publik dhe parkingjet./Kosovapress-TS

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments