Mbi 46,4 milionë euro janë të ardhurat vjetore nga pagesa e taksave për rrugë të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore gjatë vitit të kaluar, që është për 2,8 milionë euro më shumë në krahasim me vitin 2019, ndërsa për 12,1 milionë euro më shumë në krahasim me vitin 2020. Mbi 25 për qind e mjeteve të përgjithshme vitin e kaluar janë realizuar përmes pagesës elektronike në Korridorin 10. Këtë vit NPRSH pret të ardhura prej mbi 50 milionë euro, vendosjen në funksion edhe të pikëpagesave Preod dhe Kadrifakovë në autostradën Shkup – Shtip, si dhe sistem elektronik të pagesës në pikëpagesat ekzistuese në Korridorin 8.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), Ejup Rrustemi në intervistë për MIA-n tha se shërbimi i pagesave pranë NPRRSH në vitin 2021 edhe pse ishte vit i pandemisë dhe mundësive të kufizuara për qarkullim të pandërprerë mes shteteve realizoi të ardhura rekorde dhe sukses historik në ekzistimin 35-vjeçar. Edhe krahas vendkalimeve të mbyllura kufitare deri në gjysmën e dytë të majit, thekson Rustemi, shërbimi i pagesave arriti që shkëlqyeshëm ta organizojë dhe kontrollojë punën dhe gjatë kësaj realizoi qarkullim në vitin 2021 i cili është për 36 për qind më shumë në krahasim me vitin 2020, ndërsa sa i përket vitit paraprak rekord 2019 rritja është për gjashtë për qind.
“Sipas qarkullimit aktual vjetor nga arkëtimi, rritja është mbi 170.000.000 denarë (2.8 milionë euro) më shumë se në vitin 2019, ndërsa në krahasim me vitin 2020 rritja është 747.583.000 denarë (ose 12.155 milionë euro) më shumë qarkullim i realizuar nga arkëtimi. Në vitin 2019, të hyrat e përgjithshme ishin 2.681.866.666 (ose 43.6 milionë euro), ndërsa në vitin 2020 të hyrat ishin 2.092.9818.055 denarë (ose 34.029.562 euro). Këtë vit kalendarik të hyrat janë 2.853.668.980 denarë (ose mbi 46,4 milionë euro). Këto shuma të të hyrave i referohen vetëm qarkullimit të realizuar nga arkëtimi, shitja dhe rimbushja e pajisjeve elektronike, dhe mbi 25 për qind e totalit të automjeteve të ngarkuara realizohen përmes arkëtimit elektronik të Korridorit 10”, njoftoi Rustemi në intervistën, të cilën do ta publikojë MIA në mënyrë të plotësuar.
Në masë të madhe që të realizohen këto rezultate, siç tha, kontribuoi edhe Qendra Bashkëkohore Monitoruese, e cila është bërë sipas standardeve evropiane për ndjekjen dhe organizimin e punës.
“Duke marrë parasysh rezultatet e arritura në pagesën elektronike fokus i yni këtë vit do të jetë vazhdimi i procesit të modernizimit të pikëpagesave. Edhe këtë vit 2022 sa i përket shërbimit të pagesave kemi vendosur qëllime të larta, të cilat do të bëhen realitet me hapjen e dy stacioneve të reja për pagesa Preod dhe Kadrifakovë dhe parashihet që të ardhurat vjetore të jenë mbi 50 milionë euro, ndërsa këtë vit do të vendosim sistemin elektronik edhe në Korridorin 8”, paralajmëron drejtori i NPRRSH.
Vijon përgatitja e dokumentacionit projektues për rikonstruktim dhe zbatim të sistemit elektronik për pagesë të stacioneve të përhershme të pagesave në Korridorin 8. Pas miratimit të plotë të dokumentacionit projektues nga organet dhe institucionet kompetente Rustemi paralajmëron se do të fillojë edhe realizimi në teren. Pritet modernizimi i stacioneve pagesore në Korridorin 8 të fillojë pas tremujorit të parë të këtij viti.
Duke i pasur parasysh kushtet e motit dhe sezonin kur punët ndërtimore zakonisht janë në pauzë, njofton, përfundimi i ndërtimit dhe zbatimit të sistemit elektronik për pagesë në pikëpagesat Preod dhe Kadrifakovë pritet të përfundojë kah fundi i prillit të këtij viti.
“Rritja e të ardhurave nënkupton edhe rritje të investimeve, rritje të ndërtimeve, rehabilitim, rikonstruime, ndërtim të rrugëve të reja, rindërtim të rrugëve të filluara, përmirësim dhe mirëmbajtje më të mirë të infrastrukturës rrugore në shtet me qëllimin përfundimtar rrugë të sigurta për qytetarët”, theksoi Rustemi.