Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare nuk heqin dorë nga kërkesa për interpelancë, jo vetëm për ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, por edhe për tërë qeverinë. Reagimi i tyre ka të bëjë me rastin me ish-drejtorinë e policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili pas dy ditë kërkimesh intensiv nga policia, u paraqit vetë në Gjykatën Penale për marrjen e vendimit për arrest shtëpiak lidhur me akuzën e përgjimeve masive.
Opozita vlerëson se rasti është i orkestruar nga pushteti dhe vetë Mijallkov, që konsiderohet si njëri nga personalitetet më të fuqishme në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
“Të gjithë ne po e paguajmë shumë shtrenjtë biletën e këtij cirku dhe ata po luajnë me fatet tona. Në njërën anë ne flasin për shtet ligjor, ndërsa në anën tjetër kriminelët ikin dhe qytetarët e zakonshëm gjykohen për mosmbajtjen e maskave. Qytetarët tanimë e kanë kuptuar se që kur erdhi (kryeministri, Zoran) Zaev në pushtet, krimi dhe korrupsioni po qeverisin me këtë vend. Kjo është edhe arsyeja që ne të gjithë së bashku t’i japim fund gjithë kësaj dhe të punojmë edhe më shumë për të përmbysur këtë regjim hibrid. Dhe së shpejti do ta rrëzojmë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Sasho Mijallkov do të qëndrojë në arrest shtëpiak deri të premten kur edhe do të shqiptohet aktgjykimi për veprën penale, “përgjim të paligjshëm”, “shpërdorim të detyrës” dhe “dëmtim të pronës shtetërore”, përkatësisht shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit. Prokurorja Lençe Ristevska kërkoi dënimin e tij për tri veprat dhe ai mund të dënohet deri në 13 vjet burgim.
Opozita shqiptare që përbëhet nga partitë Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, thotë se rasti me Mijallkovin, paraqet “tallje me popullin” andaj edhe kërkojnë përgjegjësi nga e gjithë qeveria.
“Ne mbetemi në qëndrimin për interpelancën, madje ajo tani forcohet edhe më shumë meqë është e qartë se kemi të bëjmë me një lojë mes Mijallkovit dhe qeverisë dhe ikja e tij nuk ka qenë e rastësishme. Por, siç duket presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë e bëri të veten, se mund të ketë destabilizim të vendit dhe ata e kanë detyruar të kthehet. Kemi të bëjmë me një organizim mes pushtetit dhe Mijallkovit, prandaj konsiderojmë se jo vetëm Spasovski, por për këtë rast duhet të japë llogari e gjithë qeveria, së bashku me Zoran Zaevin. Kjo është një tallje me vlerat demokratike që synon vendi”, ka deklaruar Skënder Rexhepi, kryetar i Grupit Parlamentar të opozitës shqiptare.
Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për marrëveshje mes qeverisë dhe ish-shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov duke theksuar se çdokush që ka bërë shkelje, do të dalë para drejtësisë.
“Opinioni më i gjerë të martën ishte dëshmitar i një debakli të ri të Sasho Mijalkovit dhe Hristijan Mickoskit. Akuzat e rreme për ‘gjyqe të manipuluara politikisht’ kanë dështuar. Institucionet, qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe kryeministri Zoran Zaev, kanë ndërmarrë një veprim të fortë dhe të koordinuar për të siguruar drejtësinë. Përmes një përgjigjeje të fortë nga shteti, i arratisuri Sasho Mijalkov u parandalua të largohej nga vendi dhe u detyrua të dorëzohej. Por, kjo nuk do të thotë ikje nga përgjegjësia e atyre për shkak të të cilëve ai ishte pakapshëm për autoritetet”, ka deklaruar deputeti i LSDM-së, Kostadinov Kostadinov.
Sipas akuzës, Sasho Mijallkov, në kohën deri sa drejtonte Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 4.000 numra të telefonit apo rreth 20.000 persona, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla. Në mesin e personave të përgjuar ishin politikanë, zyrtarë, klerikë, e personalitete tjera nga jeta publike.
Sasho Mijallkov dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, njëherësh kushëri i tij, ishin të vetmin që nuk ishin përgjuar.
Afera e përgjimeve ishte zbuluar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte në opozitë.
https://www.evropaelire.org/a/opozita-interpelance-qeveria-zaev-/31119853.html