Të akuzuarit Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe Trajko Veljanovski nuk janë organizatorë të dhunës në Kuvend. Kështu dëshmoi kryeministri Zoran Zaev në seancën e sotme për rastin e 27 prillit. Sipas tij, këta të akuzuar kanë qenë të manipuluar nga organizatori kryesor Nikolla Gruevski dhe nuk duhet të gjykohen për një vepër të këtillë. Që të tre sipas dëshmisë së Zaevit, së bashku me ish drejtorin e DSK-së Vlladimir Atanasovski janë të akuzuar sepse kanë kryer vepër penale “Kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”. Ish kryeministri Nikolla Gruevski ishte i dyshuar në hetim, por kundër tij nuk u ngrit padi, sepse është i pakapshëm për gjykatën dhe prokurorinë, që kur Hungaria i dha azil dhe refuzoi kërkesën për ekstradim.
Zaev i cili ishte thirrur si dëshmitarë nga pala mbrojtëse, tha se nuk i kujtohet nëse ai personalisht ka nënshkruar kërkesë për vazhdim të seancës konstituive, as nuk i kujtohet se kishte thirrje për ndonjë deputet për të hequr dorë nga e drejta për të folur.
Për prokuroren e lëndës Villma Ruskovskan, nuk është e pranueshme deklarata e Zaev, që të akuzuarit kanë qenë të manipuluar nga ish kryeministri.
Villma Ruskovska, prokurore
“Apsolutisht nuk pajtohem me deklaratën e tij, se ata kanë qenë të manipuluar. Të akuzuarit nuk janë persona të mitur, që të mund kushdo qoftë ti manipuloj, sidomos që vite të tëra kanë qenë në njërin prej funksioneve më të larta në shtet”.
Pala mbrojtëse pret që të tërhiqet akuza për ta, pas deklaratës së sotme.
Elenko Millanov, avokat mbrojtës
“Nëse personi i parë i shtetit në 4 vitet e kaluara si kryeministër që ka qasje deri tek të gjitha informacionet e sigurisë, tha se organizatorë për 27 prillin, me siguri nuk janë Spiro Ristovski, Mile Janakieski dhe Trajko Veljanovski, mendoj se është plotësisht informacion relevant, i cili duhet të meret parasysh”.
Të akuzuar në këtë rast janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat e Transportit dhe Lidhjeve dhe Arsimit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski. Ata akuzohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.