Nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës kanë marshuar nëpër qytet duke protestuar kundër mësimit online. Ata thonë se platforma online është joefikase dhe jofunskionale për shumicën e nxënësve të cilët nuk kanë kushte për internet dhe pajisje për ndjekjen e orëve online.
Ata thonë se Unioni i nxënësve shqiptarë nuk i përfaqëson interesat e të gjithë nxënësve, pasi siç deklarojnë në asnjë rast nuk janë konsultuar.
“Jemi mbledh të gjithë nxënësit për të protestuar mësimin online për shumë shkaqe, duke filluar pasi që nxënësit nuk kanë mundësi të kyçen online për shkak se nuk i kanë kushtet por edhe ata që i kanë kushtet kanë probleme. Unë personalisht kam hyrë në mësimin online në Microsoft Teams dhe nuk është efikas dhe të gjithë nxënësit e dinë. Mendoj se bojkoti jonë duhet të merret parasysh pasi që një numër i madh i nxënësve e përkrahin dhe mësimi nuk është efikas duke filluar nga zëri deri tek pamjet”, tha një nxënës.
“Nuk është efikas se disa nxënës na tregojnë se për herë të parë kur janë munduar të kyçen u vjen mesazhi se llogaria e tyre është e bllokuar përkohësisht dhe do ju informojmë se kur do të bëhet aktive dhe pa mos u kyç asnjëherë ai ka problem”, shtoi një nxënës tjetër.- Advertisement –
“Ne jemi mbledhur për të protestuar pasi që Unioni i nxënësve të shkollave të mesme nuk i ka pranuar kërkesat tona dhe nuk na përfaqëson neve si nxënës dhe për këtë shkak ne kemi dal të shprehim mendimet tona dhe të bojkotojmë mësimin online”, theksoi një tjetër nxënës.
“Kërkojmë prani fizike në shkolla pasi që shumë lokale dhe shumë objekte funksionojnë pa probleme dhe ne si nxënës të Republikës së Maqedonisë kërkojmë të drejtat tona që të vijojm mësimin pasi që kërkesa jonë e vetme është arsimimi”, u shpreh një tjetër nxënës.
Protestë e njëjtë u organizua edhe para disa ditëve, ndërsa Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme ka arritur një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit që deri në fund të tetorit të mësohet me mësimin online, ndërsa më pas të shihet se si do veprohet. Rreth 80% e prindërve janë të idesë që nxënësit të mësojnë me prani fizike, bazuar në një anketë që është bërë në gjimnazin e Tetovës. Ndërsa të gjitha shkollat e mesme dhe fillore në qytetin e Tetovës mësimin e ndjekin online, vetëm një pjesë e shkollave të malësisë mësimin e ndjekin me prani fizike.