Transparenca e institucioneve shtetërore mezi kalon kuotën zero, konstaton Agjencia për qasje të lirë tek informatat me karakter publik. Qytetarët dhe gazetarët kanë të drejtë të ndjekin punën e të gjitha organeve shtetërore deri në nivelin e informacioneve me karakter publik. Por, procedurat e një “Feedback-u” me përgjigje ose sqarime nga funksionarët ndonjëherë zvarriten deri në pafundësi. Nga kjo Agjenci thonë se lojaliteti i institucioneve do të matet me afatet kohore të transparencës, përndryshe do të pasojnë sanksionet.
Me Ligjin për qasje të lirë të informacioneve me karakter publik nga viti 2019 janë paraparë sanksione ndaj kundërvajtjeve për personat zyrtarë që posedojnë informacionet përkatëse në rast se nuk veprojnë sipas kërkesave apo mos veprim sipas vendimeve të Agjencisë. Janë ngritur 6 procedura ndërkohë 2 janë tërhequr sepse kërkuesit i kanë marrë informacionet e duhura, 4 të tjerat janë proceduar kundër personave zyrtarë”-tha Pllamenka Bojçeva, Drejtoreshë e Agjencisë për informata me karakter publik.
Aktualisht, mbi 600 ankesa të palëve janë duke u shqyrtuar nga kjo Agjenci, prej të cilave vetëm 4 janë proceduar për kundërvajtje. Që nga funksionimi i kësaj Agjencie janë dorëzuar mbi 8.700 kërkesa nga qytetarët dhe mediumet për qasje të informacioneve me karakter publik. Ministri i ri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, pa komentuar të kaluarën, tha se ka një plan që sot e tutje.
Do të punojmë në modernizimin dhe unifikimin e ueb faqeve të ministrave dhe Qeverisë së RMV për avancimin e transformimin digjital, si dhe për transparencë dhe llogaridhënie. Ndërtimi i ueb faqeve të unifikuara të qeverisë dhe të ministrive, ndërsa në fazën mëtejshme edhe të institucioneve tjera ka për qëllim centralizimin e ueb faqeve që të jenë në shërbim sa më efikas të qytetarëve”-pohoi Jeton Shaqiri, Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Paneli i diskutimit për “Ndikimin e politikave të reja ndaj jo-transparencës së institucioneve publike” nga shoqata ESE vuri në dukje që gjatë vitit 2019, vetëm 2 nga 25 institucionet kryesore janë vlerësuar si pjesërisht transparente. Qeveria dhe Ministria e Financave vjet kanë publikuar 40-60% të punës së tyre programore dhe financiare, kurse institucionet shëndetësore mbeten në fund të listës informacioneve me karakter publik.