www.kryeministrishqiptar.mk – – “Pse jo” nisi peticionin për Kryeministrin shqiptar. ”Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive shqiptare të mbështesin Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!”
Sot, nisma “Pse jo?” nisi peticionin për të mbështetur emërimin e Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. “Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, por edhe etnive të tjera të nënshkruajnë peticionin në www.kryeministrishqiptar.mk“, thuhet në nismë.
Peticioni u bën thirrje :
– të gjitha partive politike shqiptare, OJQ-ve, organizatave profesionale dhe fetare, si dhe çdo maqedonasi me mendje të hapur dhe zemër të hapur për t’u bashkuar rreth kauzës dhe për të mbështetur një kandidat shqiptar për Kryeministër.
– të gjitha partive politike shqiptare që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet , të bëhen bashkë dhe të bien dakord për të emëruarin për kryeministër.
– Ne u bëjmë thirrje partive shqiptare që do të zgjidhen në Parlamentin e ardhshëm të mbështesin me votat e tyre kandidatin shqiptar.
“Emërimi i një shqiptari etnik për të udhëhequr Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është një shans unik për të bashkuar shoqërinë, për të arritur barazinë dhe për të trajtuar sfidat e së ardhmes. Është një sinjal i fortë për shqiptarët, për vendin tonë dhe për Komunitetin Evropian. Është tregues i normalitetit, pjekurisë politike dhe barazisë së vërtetë “, thotë nisma” Pse jo? ”
Thirrja e tyre u drejtohet veçanërisht partive shqiptare, që të lënë mënjanë dallimet dhe interesat e tyre partiake dhe të bashkohen pas kësaj kauze kombëtare: “Kryeministri shqiptar nuk ka të bëjë me partitë dhe ideologjitë. Ne presim nga politikanët tanë të përfaqësojnë interesat tona. Një Kryeministër shqiptar është në interes të çdo qytetari shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Bashkohuni për ne, qytetarët. Jepini përparësi qytetarëve dhe çështjes shqiptare”.