Nuk do të ketë orë policore. Qeveria nuk e pranoi rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, i cili parashikonte që në komunat ku ka rritje të numrit të të infektuarve të ketë ndalesë për lëvizje nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit. Propozimin për vendosje të orës policore, Ministri i Shëndetësisë sërish do ta kthejë në Komisionin në fjalë. Kryetarët e Tetovës, Kumanovës dhe Shkupit shfaqën mendimet e tyre lidhur me orën e re policore.
Në vend ende ka numër të madh të rasteve të reja të Kovid-19. Në 24 orët e fundit janë bërë 987 testime, kurse janë regjistruar 87 pacientë të rinj. Shkupi me komunat e tij sërish me numër më të madh – gjithsej 41, pastaj vijon Shtipi me 16, pastaj Kumanova me 12, Tetova me 10, Probishtipi me 4, dy raste të reja shënon Ohri dhe nga një Gostivari dhe Struga. Në Klinikën për Kardiologji ndërroi jetë një pacient nga Kumanova në moshën 74 vjeçare, i cili ishte hospitalizuar para 2 ditëve.
Sot Instituti për Shëndet Publik regjistroi 5 pacientë të shëruar. Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” 15 të punësuar janë infektuar me Kovid-19. Për shkak të kontakteve ma ta, në izolim janë edhe 10 persona të tjerë. Njëkohësisht, në hapësirat komunale të Qytetit të Shkupit ka një të infektuar, dhe për këtë arsye në izolim janë dërguar gjithsej 28 veta. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve, nga paraqitja e epidemisë në vendin tonë është 3.239.