Dhjetëra mijëra persona natën e kalaur kanë protestuar në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara, kundër brutalitetit të policisë dhe pabarazisë racore.
Protestat hynë në ditën e 12-të, ndërsa në Uashington D.C., u mbajt protesta më e madhe që prej 25 majit, kur vdiq afrikano-amerikani George Floyd, gjatë arrestimit nga policia në Mineapolis të Minesotës.
Protesta masive po ashtu janë mbajtur në Qytetin e Nju Jorkut, Filadelfi, Sietëll, Çikago dhe Los Anxhelos, ku protestuesit kërkuan ndryshime.
Protesta më të vogla janë mbajtur edhe në qytete të tjera, në komunitetet rurale dhe nëpër periferi.
Këto protesta janë më të mëdhatë që janë organizuar gjatë presidencës së Donald Trump dhe vijnë në kohën kur administrata e tij po përballet me rritjen e numrit të viktimave nga koronavirusi dhe dëmet e shkaktuara në ekonomi për shkak të mbylljes së bizneseve, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të virusit. Pas protestave të dhunshme – që shpërthyen pas vdekjes së Floyd – tani protestat në SHBA janë të qeta, pavarësisht rritjes së tensioneve politike në Uashington.
Edhe në disa qytete jasht Amerikës u protestua me kërkesën për drejtësi lidhur em vdekjen e George Floyd.
Protesta janë mbajtur në Berlin, Paris, Londër dhe qytete të tjera, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e shëndetit, për shkak të koronavirusit.
Në Kongres, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat janë duke draftuar një projektligj të reformave – që pritet të publikohet javën e ardhshme – që ka për qëllim trajnimin e zyrtarëve policorë dhe rritjen e transparencës.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të votojë për këtë legjislacion në fund të muajit qershor.