7 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaEkonomiBanka Botërore: Deri në 150 mijë njerëz në Kosovë mund të bien...

Banka Botërore: Deri në 150 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri

Koronavirusi po shkakton dëme të mëdha në ekonominë e Kosovës.

Një studim i Bankës Botërore konstaton se pandemia COVID-19 do të rrisë nivelin e varfërisë dhe të papunësisë në Ballkanin Perëndimor.

Në Ballkanin Perëndimor sipas Bankës Botërore të gjitha shtetet, dikush më shumë e dikush më pak do të preken nga pandemia COVID-19.

Sipas këtij studimi, efektet në varfëri në Kosovë ka gjasë të jenë të mëdha, shumë njerëz pritet të humbasin vendin e punës e sidomos punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal.

Më tutje, ky studim thotë se prej 57 mijë deri në 148 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri.

“Me ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe rënien drastike të remitancave si rezultat i COVID-19, ka gjasa që efektet në varfëri në Kosovë të jenë të konsiderueshme. Një numër i shumë i madh individësh pritet të humbasin vendin e punës, veçanërisht ata me kontrata me afat të caktuar, punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal. Kosova ka një sektor të madh ndërtimi, i cili është veçanërisht i ndjeshëm pasi përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shtresat e varfëra dhe të cenueshme në zonat urbane. Në të vërtetë, simulimi i kryer për këtë shënim sugjeron se 57,000 – 148,000 njerëz mund të bien në varfëri, ndërsa klasa e mesme mund të tkurret me rreth 100,000 njerëz. Kjo është ekuivalente me një rritje prej 4-10 pp të shkallës së varfërisë. Megjithëse asistenca sociale është një burim i rëndësishëm i të ardhurave për të varfërit (rreth 15 për qind në 2017) dhe në njëfarë mase do t’i mbrojë ata nga efektet e krizës, më shumë se gjysma e njerëzve që do të bien në varfëri nuk përfitojnë nga asnjë program aktual i përkrahjes sociale (megjithëse rreth 40 për qind e tyre marrin pension), duke rritur kështu nevojën për zgjerim të mbulimit dhe ndoshta edhe bujarinë e programit të transfertave në para fizike me qëllim lehtësimin e efekteve nga rënia e të ardhurave.”, thuhet në studimin e Bankës Botërore.

Më tutje, të ardhurat në Kosovë mund të bien edhe si shkak i rënies së remitancave.

“Gjithashtu edhe të ardhurat nga burime të tjera ka gjasa të bien për shkak të rënies së remitancave. Në vitin 2019, remitancat në vendet e Ballkanit Perëndimor varionin nga 2 deri në 10 për qind të PBB-së, k Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova kanë varësinë më të madhe prej tyre. Punëtorët emigrantë, veçanërisht të punësuarit e përkohshëm ose informalë, mund të humbasin vendet e punës në vendet evropiane të goditura rëndë nga pandemia dhe izolimi. Disa nga këta emigrantë do të kthehen në vendet e tyre, duke rrezikuar të mbeten të papunë dhe pa mbrojtje sociale. Flukset hyrëse të remitancave për familjet në Ballkanin Perëndimor do të pësojnë rënie.”, thotë studimi.

Sipas Bankës Botërore, në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor mbi 400 mijë njerëz mund të bien në varfëri dhe shtresa e mesme mund të tkurret ndjeshëm.

“Sipas vlerësimeve të Bankes Boterore, në mungesë të kundërpërgjigjeve nga ana e qeverive, më shumë se 400.000 banorë mund të bien në varfëri në këtë rajon dhe shtresa e mesme mund të tkurret ndjeshëm. Shumë prej atyre të cilët mund të varfërohen aktualisht nuk janë duke përfituar nga mbrojtja sociale, dhe të rrezikuar janë sidomos punonjësit infomalë të cilët nuk janë të mbuluar nga sigurimi i papunësisë dhe nuk marrin ndonjë lloj mbështetjeje tjetër.”, thuhet në përshkrimin e studimit.

E pandemia COVID-19 sipas BB mund të ketë ndikim të madh edhe në sektorin e arsimit, ku një përqindje e madhe e nxënësve do ta lënë shkollën.

“Në krahasim me mesataren e BE-së, niveli i ulët dhe jo efikas i shpenzimeve publike për person për shëndetësinë përpara krizës e bën këtë rajon veçanërisht të cenueshëm nga kjo krizë dhe nga kriza të tjera të shëndetit publik në të ardhmen. Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në disa qytete të mëdha dhe numri i rritur i sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes të cilat e shoqërojnë këtë ndotje e rëndojnë më tej këtë cenueshmëri, sidomos nëse përsëritet një shpërthim epidemie prapë dimrin e ardhshëm. Gjithashtu, mbyllja e nevojshme e shkollave për ta ulur ngarkesën mbi sistemin shëndetësor do të sjellë humbje të konsiderueshme në rezultatet mësimore nga të cilat mund të duhen vite për ta rimarrë veten: sipas vleresimeve, përqindja e personave pa zotësi të nivelit elementar në lexim mund rritet nga 53 për qind që është aktualisht në 61 për qind. Ndikimi në arsim do të prekë në mënyrë shpërpjesëtimore personat në pozita të pafavorshme, e një përqindje më e madhe nxënësish do të kthehen sërish në analfabetë funksionalë dhe mbase mund ta lënë fare shkollën.”, thotë studimi.

Ministria e Financave e Kosovës dje ka paraqitur Pakon e Rimëkëmbjes Ekononike e cila parasheh futjen e 1.26 miliardë eurosh në shtet brenda 5 viteve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments