Ministria e punëve të brendshme ka hapur disa hetime në të cilët janë të kyçur funksionarë aktual dhe të mëparshëm – këtë për TV21 e konfirmoi ministri, Naqe Çulev.
“Ne kemi hapur hetime serioze në sferën e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Naqe Çulev, MPB.
Që nesër, MPB do të fillojë me publikimin e hetimeve në të cilat, siç tha njeriu i parë i policisë, janë të përfshirë funksionarë të mëparshëm dhe aktual, që kanë qenë ose janë në ndonjë pozitë.
“Tashmë ne si MPB do të jemi më shumë të fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për gjithë këto punë do ta informojmë opinionin, të shohin se Ministri për punë të brendshme edhe përveç asaj që ka qenë i angazhuar në luftën kundër koronavirusit, ka qenë i angazhuar edhe në luftën serioze joselektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Naqe Çulev, MPB.
Në emisionin “10 minuta” në TV21, Çulev shtoi se po zhvillohet hetim edhe për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Tha se janë kryer intervista serioze me të punësuarit në palestër, ndërsa janë marrë edhe hard disqet e kamerave të sigurisë dhe po bëhet ekspertizë.
“Nga fundi është ekspertiza e materialit dhe shpresojmë se gjatë ditëve në vijim do të kemi situatë të pastër, objektive, situatë faktike me qëllim që ministri i punëve të brendshme ta tregoj të vërtetën për këtë rast”, tha Naqe Çulev, MPB.
I pyetur për thirrjen telefonike që Mickoski e ka realizuar për tu informuar për hetimin, Çulev tha se këtë mund ta bëjë çdo qytetarë dhe se këtu nuk ka shkelje të procedurave.
Në emision, Çulev theksoi se pothuajse të gjithë rekomandimet që i ka dorëzuar në Qeveri janë refuzuar pa arsye serioze për këtë gjë.
Gjykata administrative ka sjellë vendim në interes të Çulevit, ku ka vërtetuar se në vendimet e sjella pas ardhjes së tij në funksion, nuk ka parregullsi.