8 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeSela i shkruan Pendarovskit / Të shohim në oborrin tonë…

Sela i shkruan Pendarovskit / Të shohim në oborrin tonë…

Kushtëzimi bullgar lidhur me rikualifikimin e gjuhës maqedone ka prekur, me të drejtë, majën e hierarkisë së nevojave tuaja dhe të qytetarëve maqedonas. Prandaj edhe deklaruat se “kur e lexova për herë të parë, dy tre herë jam kthyer në atë formulim”. Kështu thuhet në një letër të hapur të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela drejtuar presidentit Stevo Pendarovsli, ndërsa e përkujton se njëjtë sikurse Bullgaria e konteston gjuhën maqedonase, edhe Maqedonia e konteston gjuhën shqipe.
“Nuk munda të besoj se në shekullin 21 dikush dikujt mundet t’i kontestojë se gjuha e tij quhet ashtu siç vet e kodifikon dhe praktikon me dekada të tëra. Po, zoti President, ka raste të tilla edhe në shekullin 21! Dhe për këtë nuk keni nevojë fare të shikoni drejt Sofjes. Mjafton të shikoni në oborrin tuaj, sepse Maqedonia e Veriut, President i së cilës jeni ju vetë ua konteston po këtë të drejtë shqiptarëve, bile në mënyrë edhe më eklatante, duke e reduktuar gjuhën shqipe në një ‘gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja’”, shkruan Sela.

Letra e plotë e kryetarit të ASH-së, Ziadin Sela drejtuar presidentit Stevo Pendarovski:

I nderuari President,
Ju përgëzoj për paraqitjen tuaj të 1 majit në Alsat ku theksuat tre prioritete për të ardhmen e vendit, përkatësisht demokracinë, integrimin në civilizimin dhe institucionet perëndimore si dhe një Maqedoni të Veriut heterogjene, “ku çdo përfaqësues i cilësdo bashkësie etnike apo religjioze ka të drejta të barabarta me të gjithë, me mua, me ty, me këdo qofte”.
Duke shpresuar t’ju kem cituar drejtë, me keqardhje më duhet të konstatoj se ne si shtet jemi ende larg nga këto vlera dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Besoj se edhe ju ndani këtë mendim.
Megjithatë, aty ku assesi nuk mund të pajtohem me ju është kur thoni se Maqedonia e Veriut do duhej të hiqte dorë nga integrimi në Bashkimin Evropian (BE) nëse Republika e Bullgarisë kushtëzon hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, me kërkesën që gjuhës maqedone t’i referohet në dokumentet zyrtare të BE-së si “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Jo, zoti President, qytetarët e këtij vendi kurrë nuk do të pranojnë të heqin dorë nga BE-ja. Ka shumë arsye për këtë, përfshirë sakrificat, përpjekjet e tyre tre dekadëshe dhe mungesë e një alternative tjetër, por mbi të gjitha për shkak se integrimi në BE ka të bëjë drejtpërdrejtë me prioritetin e dytë që ju veçuat si interes shtetëror, atë të integrimit në civilizimin dhe institucionet perëndimore si interes shtetëror, që ka filluar me anëtarësimin e vendit në NATO dhe do të përmbyllet vetëm kur të bëhemi shtet anëtar i BE-së.
Unë e kuptoj mirëfilli reagimin tuaj emocional në lidhje me kushtëzimin bullgar rreth gjuhës maqedone, sepse çdo shtetar e njeri në rruzullin tokësor do të indinjohej njëjte si ju në qoftë se i cenohet identiteti kombëtar. Megjithatë, atë qe nuk po mund të kuptoj është se si edhe pas këtij kushtëzimi bullgar, ju personalisht dhe establishmenti politik maqedonas në përgjithësi, nuk keni nisur qoftë edhe reflektimin më të vogël rreth asaj se si ndjehen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku vazhdimisht u cenohet identiteti i tyre kombëtar.
Besoj jeni i njohur me hierarkinë e nevojave të njeriut të psikologut amerikan Abraham Maslow. Në fund të kësaj hierarkie qëndrojnë nevojat bazike fiziologjike siç janë ushqimi, uji, etj. Në mes janë nevojat sociale, ndër to edhe siguria. Në maje qëndrojnë nevojat njerëzore që kanë të bëjnë me shprehjen e Unit dhe për t’u ndjerë i barabartë me të tjerët.
Siç duket, kushtëzimi bullgar lidhur me rikualifikimin e gjuhës maqedone ka prekur, me të drejtë, majën e hierarkisë së nevojave tuaja dhe të qytetarëve maqedonas. Prandaj edhe deklaruat se “kur e lexova për herë të parë, dy tre herë jam kthyer në atë formulim. Nuk munda të besoj se në shekullin 21 dikush dikujt mundet t’i kontestojë se gjuha e tij quhet ashtu siç vet e kodifikon dhe praktikon me dekada të tëra”.
Po, zoti President, ka raste të tilla edhe në shekullin 21! Dhe për këtë nuk keni nevojë fare të shikoni drejt Sofjes. Mjafton të shikoni në oborrin tuaj, sepse Maqedonia e Veriut, President i së cilës jeni ju vetë ua konteston po këtë të drejtë shqiptarëve, bile në mënyrë edhe më eklatante, duke e reduktuar gjuhën shqipe në një “gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja”.
Siç e dini, ky formulim është nxjerrë nga analet e historisë të pas luftës së parë botërore, më saktësisht nga Konferenca e Paqes së Parisit, kur nën presionin e fuqive perëndimore, Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve u detyrua të nënshkruaj traktat për minoritetet që parashihte hapjen e shkollave në gjuhën shqipe – në letër kuptohet, sepse ndalimi i tyre vazhdoi deri në vitin 1941 – por nuk pranoi assesi të përmendet togfjalëshi “gjuha shqipe”. Dhe e dini cili formulim u zgjodh? Një formulim i ngjashëm me këtë që kualifikon sot, pra njëqind vite më vonë, gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut: “gjuha që është e ndryshme nga serbishtja”.
Asokohe, motivet serbe ishin të qarta: zhbërja, zhdukja dhe fshirja e gjurmëve të ekzistencës së kombit shqiptar në trojet e veta, përfshire duke mohuar ekzistencën e shqiptarëve dhe gjuhës së tyre në dokumentet zyrtare.
Po sot, zoti President, çka justifikon edhe më tej mohimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut? Unë nuk kam se si të mos dyshoj se po e njëjta logjikë motivon refuzimin e vazhdueshëm nga klasa politike maqedonase që Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut t’i referohet gjuhës shqipe me emrin e vetë në vend të formulimeve të huazuara nga e kaluara e turpshme totalitare.
Këto rreshta natyrisht se nuk do të përbëjnë risi për ju. Ne shpesh kemi folur për këto tema, por kemi hasur në veshë të shurdhër. Bile kësaj kërkese tonë shpeshherë i janë përgjigjur duke na cilësuar edhe si nacionalistë e duke na vënë lloj lloj epitete tjera.
Risia sot qëndron te fakti se me kushtëzimin bullgar, një pjesë e politikanëve dhe e popullit maqedonas ka kuptuar, po shpresoj, se kërkesat e shqiptarëve nuk janë nacionaliste. Kjo kërkesë në fakt është një e drejtë natyrore dhe shumë njerëzore që ka të bëjë me identitetin tonë si komb.
Andaj zoti President, ne ndajmë shqetësimin tuaj dhe u themi se keni plotësisht të drejtë të indinjoheni karshi kushtëzimit bullgar, ashtu siç edhe shqiptarët me plotë të drejtë janë thellësisht të indinjuar me kushtetutën anakronike dhe anti-evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke u nisur nga parimi “mos ia bën asnjëherë tjetrit atë që nuk dëshiron dikush të t’a bëjë ty”, shpresoj se bashkë me ju dhe politikanë tjerë mendje hapur maqedonas të bëhemi bashkë në jetësimin e idealit tonë evropian dhe të ndryshojmë këtë kushtetutë retrograde, që më në fund gjuhës shqipe t’i themi gjuhë shqipe duke braktisur kështu logjikët e një periudhe të errët të historisë.
Sa i përket Republikës së Bullgarisë, uroj të gjendet një gjuhë e përbashkët me shtetin fqinj në kuadër të komisioneve të përbashkëta për zbatimin e traktatit për fqinjësi të mirë, i cili duhet të jetë shtytje për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, dhe jo e kundërta.
Ne do të qëndrojmë pranë jush për t’i bërë më dije Sofjes zyrtare se në Maqedoninë e Veriut janë dy gjuhë zyrtare dhe se kodifikimi dhe rregullimi i tyre është çështje e brendshme e jona e jo e atyre.

Sinqerisht,
Ziadin Sela
Kryetar i Aleancës për Shqiptarët

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments