Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurise së Maqedonisë së Veriut, presidenti Stevo Pendarovski është shprehur se beson që vendi i tij do të arrijë të furnizohet me respiratorët e mbetur në Turqi.
Duke iu përgjigjur pyetjes rreth respiratorëve të paralajmëruar si donacion nga Kina, si dhe furnizimin me respiratorët e tjerë, presidenti Pendarovski tha se ekziston një problem për të cilin është i informuar para disa ditëve.
Ai u shpreh se “për fat të keq, Turqia mike për arsye të njohura vendosi embargo për çfarëdo eksporti të respiratorëve”, duke sqaruar se bëhet fjalë për një donacion norvegjez që ishte para realizimit.
Pendarovski theksoi se është në komunikim ditor me kabinetin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Deri në këtë moment nuk kemi zgjidhje për këtë problem, shpresoj se do të gjejmë. Kuptohet, do të vazhdojmë me përpjekjet diplomatike të debllokohet kjo ndihmë e cila për ne është e madhe, edhe pse ndoshta për Turqinë apo për ndonjë shtet tjetër më të madh nuk është edhe aq e madhe. Për ne është e rëndësishme dhe shpresoj se do të hasim në mirëkuptim te partnerët dhe miqtë tanë turq”, tha Pendarovski.
Në kuadër të masave të ndërmarra në luftën kundër koronavirusit të ri, Turqia nga mesi i muajit maj pezulloi eksportin e pajisjeve mjekesore.
Përpos kësaj, autoritetet e Maqedonisë së Veriut paraprakisht kanë bërë kërkesë për donacion prej 200 respiratorëve nga Kina, por për shkak të kërkesës së madhe akoma nuk dihet numri i saktë i respiratorëve që do të vijnë si donacion kinez.
Pendarovski gjithashtu informoi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është diskutuar rreth masave aktuale dhe rezultatet që japin ato, ndërsa shtoi se do të ketë edhe takime të tjera ku mund të shqyrtohet vazhdimi eventual i gjendjes së jashtëzakonshme.
Kujtojmë se më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin për 30 ditë, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.
Sipas të thënave të fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, në vend janë regjistruar gjithsej 329 raste të COVID-19, ku bëjnë pjesë 9 raste të vdekjeve dhe 12 pacientë që janë shëruar nga sëmundja.