Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për masa më të lehta izolimi në Shtetet e Bashkuara rreth koronavirusit, duke thënë se masat e ashpra mund të “shkatërrojnë” shtetin.
“Shumë njerëz pajtohen me mua. Shteti ynë – nuk është krijuar për t’u mbyllur”, ka thënë ai për kanalin Fox.
“Mund të shkatërroni shtetin në këtë mënyrë, duke e mbyllur atë”.
Trump ka thënë se duke filluar nga java e ardhshme ai do të “analizojë” nëse do të heqë masat për distancim shoqëror dhe karantinë, në mënyrë që ekonomia të kthehet në rrugën e vet.
“Ne nuk mund të humbim Boeing, ne nuk mund të humbim kompani të tilla. Nëse humbim këto kompani, ne po flasim për qindra mijëra, miliona vende të punës”, ka thënë ai.
Deri më tani në Shtetet e Bashkuara janë mbi 46,000 njerëz të infektuar dhe 610 të vdekur me koronavirus./REL