BallinaLajmeLevica: “Janevska dhe VMRO-DPMNE ua vodhën studentëve 400 milionë denarë, ndërsa tani...

Levica: “Janevska dhe VMRO-DPMNE ua vodhën studentëve 400 milionë denarë, ndërsa tani u thonë se për të drejtat që u takojnë me ligj, duhet të padisin në gjykatë”

Arroganca me të cilën ministrja Janevska e trajton standardin studentor po merr përmasa skandaloze. Në një paraqitje televizive, Janevska praktikisht paralajmëroi se Ministria e Arsimit do të vazhdojë ta injorojë detyrimin ligjor për harmonizimin e shujtës studentore me inflacionin, derisa gjykata ta detyrojë të veprojë!

Pasi Levica që në muajin gusht bëri të ditur se studentët janë dëmtuar për rreth 400 milionë denarë, në vend që të pasojë kompensimi i menjëhershëm, Janevska me deklaratat e saj dëshmon se VMRO-DPMNE, në fakt, me vetëdije po e shndërron mosrespektimin e ligjit në instrument kursimi në kurriz të studentëve.

Kaq larg shkon arroganca e kësaj qeverie, saqë studentët, përveç betejës së përditshme me shtrenjtimet dhe standardin e mjerueshëm studentor, tani duhet të zhvillojnë edhe betejë gjyqësore për të drejtat e tyre të garantuara me ligj!”, thuhet në reagimin e partisë Levica.

“Është skandaloze përpjekja e Janevskës për t’iu shmangur përgjegjësisë, me arsyetimin se në ligj nuk qenka përcaktuar saktësisht se kush duhet ta bëjë harmonizimin.

Neni 2 i Ligjit për shujtën e subvencionuar studentore parasheh shprehimisht harmonizimin e shumës me normën e inflacionit pas çdo viti fiskal dhe para miratimit të Buxhetit për vitin e ardhshëm, ndërsa nenet 3 dhe 13-a e ngarkojnë pikërisht Ministrinë me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit!

Që kur respektimi i ligjeve në Maqedoni është çështje e vullnetit të mirë të ministrave dhe që kur qytetarët janë të detyruar t’i detyrojnë ministrat përmes gjykatave që ta kryejnë punën e tyre?!

Të rikujtojmë se e njëjta ministre, në disa raste, ka gënjyer publikisht duke pretenduar se Qeveria e VMRO-DPMNE-së e kishte rritur shujtën studentore, madje edhe se studentëve u kishte ndarë paraprakisht mjete shtesë.

Nga rritjet e sajuara, përmes arsyetimeve se studentët nuk ishin ankuar, e deri te akrobacionet juridike se kush është kompetent – i gjithë angazhimi i Janevskës gjatë muajve të fundit është përqendruar në gjetjen e alibive për mospagesën e parave që studentëve u takojnë me ligj.

Levica po i shfrytëzon të gjithë mekanizmat institucionalë për t’i dhënë fund këtij grabitjeje të studentëve.

Që në shtator propozuam ndryshime ligjore për rritjen e shujtës së subvencionuar studentore – propozim të cilin VMRO-DPMNE e refuzoi. Shumica parlamentare refuzoi edhe amendamentin e Levicës në ribalancin e Buxhetit për vitin 2026, i cili parashikonte rritjen e shujtës studentore.

Gjithashtu, kemi paraqitur padi në Gjykatën Administrative dhe ankesë te Avokati i Popullit për shkak të mosveprimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Për më tepër, Levica ka paraqitur sërish amendament për rritjen e shujtës studentore, kësaj radhe në Propozim-Buxhetin për vitin 2027, dhe i bëjmë thirrje shumicës parlamentare të VMRO-DPMNE-së që ta miratojë atë.

Studentët nuk janë të detyruar ta financojnë komoditetin buxhetor të pushtetit me urinë e tyre, e as të presin një vendim gjyqësor për të siguruar një shujtë të dinjitetshme.

Paralajmërojmë se Levica do të paraqesë sërish propozim për rritjen e shujtës së subvencionuar studentore, ashtu siç e parasheh edhe vetë ligji.

Ka kohë që VMRO-DPMNE kursen në tryezën e studentëve, ndërsa sillet në mënyrë shpërdoruese me arkën e shtetit!”, thuhet në komunikatën e partisë Levica.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments