BallinaLajmeLigji për tatimimin e trefishtë dhe pesëfish të banesave të zbrazëta ekziston,...

Ligji për tatimimin e trefishtë dhe pesëfish të banesave të zbrazëta ekziston, por Qeveria dhe komunat refuzojnë ta zbatojnë, thonë nga DOM

„Nuk nevojiten premtime të reja deklarative dhe subvencione që vetëm i rrisin çmimet për metër katror. Ligji tashmë parasheh tatim tre herë më të lartë për banesat private të zbrazëta dhe tatim pesë herë më të lartë për objektet shtetërore dhe komunale të paregjistruara dhe të pashfrytëzuara. Mungon vetëm vullneti politik për zbatimin e tij“, thonë nga DOM.

Në vazhdim të reagimit të tyre lidhur me masat e paralajmëruara të Qeverisë për çështjen e banimit, nga DOM theksojnë një fakt kyç, i cili sipas tyre vazhdimisht po heshtet në opinionin publik: Maqedonia tashmë ka një mekanizëm ligjor për tatimimin e banesave të zbrazëta, por prej vitesh ky mekanizëm mbetet vetëm në letër.

Në përputhje me Ligjin për Tatimet në Pronë, qytetarët që paguajnë tatim për banesën ku jetojnë, me normë efektive prej 0,05 për qind, për çdo banesë që qëndron e zbrazët dhe nuk jepet me qira për më shumë se gjashtë muaj gjatë vitit, parashihet tatim tri herë më i lartë (0,30 për qind).

Për më tepër, nëse pronari nuk e deklaron se banesa nuk shfrytëzohet, ligji parasheh një normë ndëshkuese prej pesë herë më të lartë të tatimit (0,50 për qind). E njëjta normë pesëfish më e lartë vlen edhe për të gjitha objektet shtetërore dhe komunale që nuk shfrytëzohen.

Në praktikë, pothuajse askush nuk e paguan këtë tatim. Pjesa dërrmuese e pronarëve të banesave të zbrazëta vazhdojnë të marrin vendime tatimore me shuma minimale, sepse komunat dhe pushteti qendror nuk i kryqëzojnë të dhënat nga regjistrat e vendbanimeve të deklaruara dhe kontratat e qirasë me të dhënat për shpenzimin e energjisë elektrike dhe ujit.

Në të njëjtën kohë, as vetë institucionet nuk e zbatojnë tatimin pesëfish mbi fondin e tyre të banesave dhe objekteve afariste të zbrazëta.

Në dallim nga kjo pasivitet, vendet e rajonit, si Kroacia, në vitin 2026 kanë vendosur tatim të detyrueshëm për banesat e zbrazëta, duke bërë kryqëzimin digjital të bazave shtetërore të të dhënave dhe duke përcaktuar afate të qarta. Qëllimi është të dekurajohet spekulimi me patundshmëritë dhe banesat e zbrazëta të rikthehen në treg për banim afatgjatë.

Për këtë arsye, DOM kërkon zbatimin e menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të legjislacionit ekzistues përmes këtyre masave:

1. Kryqëzimi digjital i të dhënave: Komunat dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike duhet menjëherë të kryqëzojnë të dhënat për vendbanimet e deklaruara dhe kontratat zyrtare të qirasë me shpenzimin e energjisë elektrike dhe ujit, me qëllim përcaktimin e numrit real të banesave të zbrazëta.

2. Arkëtimi i rregullt i tatimit ligjor për patundshmëritë e zbrazëta: Zbatimi i plotë i normës tatimore trefish dhe pesëfish për banesat që qëndrojnë të zbrazëta për një periudhë të gjatë, në vend që të tolerohet mbajtja e tyre jashtë tregut.

3. Destinimi i mjeteve për banimin e të rinjve: Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga tatimi i rritur për banesat e zbrazëta të orientohen drejtpërdrejt në Fondin për Banesa të Përballueshme dhe për subvencionimin e qirave për të rinjtë dhe çiftet e reja bashkëshortore.

4. Regjistrimi dhe aktivizimi i pronës shtetërore dhe komunale: Të publikohet lista e të gjitha banesave dhe objekteve shtetërore e komunale të zbrazëta, të cilat i nënshtrohen tatimit pesëfish, dhe ato urgjentisht të vihen në funksion përmes dhënies me qira me çmime të favorshme.

5. Lirimi nga tatimi për dhënien e banesave me qira afatgjatë për të rinjtë: Çdo pronar që banesën e tij të zbrazët ua jep me qira të rinjve, përmes një kontrate të regjistruar prej së paku 10 deri në 12 muaj, me çmim të përballueshëm dhe të rregulluar, të lirohet plotësisht nga tatimi i rritur.

„Shteti nuk mund të shtiret se kujdeset për të rinjtë përmes subvencioneve që përfundojnë te investitorët ndërtimorë, ndërkohë që toleron banesat e zbrazëta dhe ligjet e veta i mban në sirtar.

Zgjidhja e krizës së banimit nuk qëndron në betonizimin e çdo parcele të lirë, por në një politikë të drejtë tatimore, e cila do t’ua hapë dyert mijëra banesave të zbrazëta“, thuhet në komunikatën e DOM-it.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments