www.telegrami.mk
Tetova sot u bë bashkë për t’i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej luftëtarëve të tri luftërave çlirimtare. Në një ceremoni me pjesëmarrje të madhe qytetarësh dhe me nderime të larta qytetare, atdhetare e fetare, në Varrezat e Dëshmorëve në Tetovë u varros Enver Rifati – Komandant Xhaxhi.
Ishte një ditë dhimbjeje, respekti dhe kujtimi për njeriun që jetën e tij ia kushtoi çështjes kombëtare, duke qenë pjesëmarrës në tri fronte luftërash / në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB) dhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni.
Në përcjelljen e tij të fundit morën pjesë delegacione të shumta, ish-shokë lufte nga të tria frontet, bashkëluftëtarë nga Malësia e Sharrit, si dhe qytetarë nga Tetova, Gostivari, Shkupi, Kumanova dhe vise të tjera shqiptare.
Me respekt dhe nderime, të pranishmit e përcollën Komandant Xhaxhin drejt banesës së fundit, në vendin ku prehen ish-luftëtarët e UÇK-së.
Sot, Tetova nuk përcolli vetëm një njeri, por një kujtim të gjallë të një epoke dhe të një rruge të vështirë, të cilën ai e kishte zgjedhur ta ndiqte.
Iku Komandant Xhaxhi! Kujtimi dhe vepra e tij mbeten pjesë e historisë dhe kujtesës sonë.
Lavdi jetës dhe veprës së tij! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!
www.telegrami.mk-Mesut Shabani







www.telegrami.mk
