BallinaLajmeMaqedonia e Veriut ka rënë një vend më poshtë në Indeksin e...

Maqedonia e Veriut ka rënë një vend më poshtë në Indeksin e Sundimit të Ligjit

Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 65-të në Indeksin e Sundimit të Ligjit për vitin 2026, me rezultat 0,54, një vend më poshtë se vitin e kaluar, kur ishte e 64-ta. Rënia më e madhe vërehet te treguesit që lidhen me korrupsionin në pushtet, kontrollin e pushtetit ekzekutiv nga Kuvendi dhe gjyqësori, si dhe kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore, sipas Projektit Botëror për Drejtësi (WJP), transmeton Portalb.mk.

Indeksi përfshin 143 vende. Në kategorinë e luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 71-të, ndërsa për zbatimin e ligjeve dhe rregullave është në vendin e 95-të, gjashtë vende më poshtë se në vitin 2025.

Përparim nuk ka as në fushën e drejtësisë penale dhe civile. Vlerësime më të mira vendi ka për të drejtat themelore dhe kufizimin e pushtetit të qeverisë.Në kategorinë e rendit dhe sigurisë, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 43-të, por edhe në këtë fushë shënon rënie të vazhdueshme që nga viti 2022.

Nga vendet e rajonit, Mali i Zi dhe Kosova renditen më mirë se Maqedonia e Veriut. Shqipëria është në vendin e 91-të, ndërsa Serbia në vendin e 95-të.

Kjo renditje vjen në një kohë kur gjyqësori në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me probleme të transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit. Ndikimi i politikës në gjyqësor, mungesa e pavarësisë dhe zvarritja e reformave mbeten ndër sfidat e sistemit të drejtësisë. Probleme paraqesin edhe mungesa e kuadrit në gjykata dhe prokurori, si dhe rastet e korrupsionit të nivelit të lartë që rrallë përfundojnë me vendime të plotfuqishme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments