BallinaLajmeTakim i ri pune për Kodin Zgjedhor, partitë dolën me qëndrime të...

Takim i ri pune për Kodin Zgjedhor, partitë dolën me qëndrime të pandryshuara! LSDM përsëri bojkotoi

Nuk ka lëvizje në qëndrimet e partive politike rreth Kodit të ri Zgjedhor, edhe përkundër takimit të sotëm të përsëritur të grupit të punës, me iniciativë të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari. As në takimin e sotëm nuk morën pjesë përfaqësuesit e LSDM-së, të cilët për këtë ligj kanë dorëzuar rreth 10 mijë amendamente. Shasivari theksoi se qëllimi i këtij takimi është t’i jepet një shans i dytë ligjit dhe tha se mungesa e LSDM-së në takime paraqet pengesë për këtë proces, ndaj pret që në takimin e ardhshëm edhe ata të jenë të pranishëm.Qëllimi i këtij takimi ishte që edhe një herë t’i dëgjojmë të gjitha aspektet, në mënyrë kronologjike, të këtij procesi i cili është zhvilluar për 4 muaj dhe është pjesë e agjendës reformuese. Në periudhën e ardhshme do të përpiqem të vendos kontakt me deputetin dhe kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate, zoti Filipçe, në Kuvend, që edhe ata të jenë në tryezë në takimin e ardhshëm të grupit të punës”, tha Shasivari.

Pas takimit, partitë dolën me qëndrime të pandryshuara sa u përket propozimeve të tyre. Nga VMRO-DPMNE thonë se insistojnë të ketë votim të diasporës, siç propozojnë ata, edhe pse duket se kjo është edhe pengesa më e madhe për arritjen e një marrëveshjeje me opozitën.“Konsiderojmë se është obligim kushtetues i shtetit që t’i mundësojë votimin çdo qytetari, pa dallim të vendit të banimit. Prandaj vlerësojmë se kjo duhet të jetë obligim i përbashkët që ta realizojmë këtë të drejtë kushtetuese të diasporës, pavarësisht nëse kompromisi do të jetë votimi elektronik apo votimi përmes postës”, tha Antonijo Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Nga BDI thonë se propozimi i një pjese të partive për një njësi zgjedhore është i pranueshëm.Fakt është se kishte propozime të ndryshme, për ne është i pranueshëm, si Bashkim Demokratik për Integrim, një njësi zgjedhore, por për fat të keq ka propozime të ndryshme dhe mbeti në grupin e punës e mëparshmja, përkatësisht zgjidhja e cila është në fuqi në Kodin Zgjedhor”, theksoi Blerim Bexheti nga BDI.

Nga Levica, e cila gjithashtu ka dorëzuar amendamente për Kodin Zgjedhor, rreth 3 mijë, vazhdojnë të insistojnë në shpërndarje të drejtë të mjeteve për fushatën zgjedhore.

Nga ZNAM presin që deri më 31 dhjetor, kur Maqedonia përsëri do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian për punën e bërë në agjendën reformuese, të miratohet Kodi Zgjedhor, edhe pse afati i përcaktuar nga BE-ja ka kaluar më 15 qershor.

Qëndrimi i LSDM-së, i shprehur më herët, është se janë kundër votimit elektronik ose votimit përmes postës për diasporën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments