Në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Tetovës, këshilltari i Levicës, Bobi Ilievski, e demontoi në tërësi Raportin Tremujor të NP “Tetovë Transport” për periudhën nga 1 prilli deri më 30 qershor 2026.
Ilievski theksoi se materialet që pushteti lokal ua dorëzon këshilltarëve nuk përbëjnë raport serioz financiar, por një cirk juridik dhe dëshmi të një menaxhimi klasik të papërgjegjshëm.
Faktet tronditëse të paraqitura nga këshilltari Ilievski flasin vetë:
FITIM QESHARAK, NDËRSA HONORARE MILIONËSHE
Ndërmarrja mezi ia del të mbyllë tremujorin me një “fitim” prej vetëm 7.966 denarësh.
Ndërkohë, “ushtarët partiakë” në Bordin Drejtues dhe Bordin Mbikëqyrës kanë arkëtuar pa problem plot 196.470 denarë për tre muaj.
Shpërblimet e tyre janë pothuajse 25 herë më të mëdha se fitimi i ndërmarrjes.
Ndërsa zëri më i madh në shpenzime janë pagat dhe kontributet, në vlerë prej 3.998.838 denarësh, ose 63% e të gjitha shpenzimeve, në raport qëllimisht NUK është paraqitur numri i të punësuarve dhe struktura e tyre.
Pushteti lokal fsheh nëse ka pasur punësime të reja në ndërmarrje dhe nëse ka persona të angazhuar përmes kontratave të dyshimta në vepër.
STADIUM FUTBOLLI PREJ 40 MILIONË DENARËSH?!
Zëri më skandaloz është investimi prej 40.711.964 denarësh për projektimin dhe rikonstruktimin e stadiumit, shumë kjo që është gjashtë herë më e madhe se të ardhurat e përgjithshme tremujore të ndërmarrjes.
Mbi bazën e cilit ligj një ndërmarrje publike për transport publik investon në një stadium futbolli?
Prej këtu lindin disa dilema, ndërsa pyetja kryesore është:
Ku fshihen projekti, kontrata dhe raporti i mbikëqyrjes?
Dokumenti me të cilin pushteti lokal kërkon miratim është plotësisht i paqartë dhe i parregullt. Në të njëjtin dokument paraqiten tri vite të ndryshme – 2024, 2025 dhe 2026.
Fshihen numrat e arkivit të vendimeve dhe janë ngatërruar plotësisht kompetencat ndërmjet bordeve.
📢 Siç deklaroi këshilltari Ilievski:
“Këto nuk janë gabime të parëndësishme shtypi. Nuk guxojmë të votojmë një konkluzion të bazuar në një vendim kontradiktor dhe të parregullt!”
Levica Tetovë nuk do të lejojë që ndërmarrjet komunale të shërbejnë si bankomate private për pazare koalicioni, punësime partiake dhe parazitë, ndërkohë që qytetarët e Tetovës udhëtojnë në kaosin e trafikut.
Kërkojmë përgjegjësi urgjente për çdo denar të shpenzuar në kurriz të qytetarëve!
