BallinaLajmeVLEN në ndarjen e vendeve të punës në Spitalin e Tetovës? Drejtori...

VLEN në ndarjen e vendeve të punës në Spitalin e Tetovës? Drejtori Elezi: nuk ka asgjë politike

Erzen Elezi, në një bisedë të shkurtër telefonike, ka hedhur poshtë pretendimet për karakter partiak dhe politizim të ngjarjes. Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, tha ai për “360 Gradë”, ishin të ftuar në aktivitet jo si bashkëkryetarë dhe përfaqësues të VLEN-it, por në cilësinë e kryetarëve të komunave, përcjell Nistori

Të martën, në amfiteatrin e Spitalit Klinik të Tetovës, është organizuar një manifestim solemn, gjatë të cilit 109 punonjës shëndetësorë kanë marrë vendime për punësim në këtë institucion publik shëndetësor.

Për ngjarjen kanë raportuar disa media vendore, ndërsa informacionin në Facebook e ka shpërndarë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili i ka uruar punonjësit shëndetësorë për vendimet e marra për punësim në Spitalin e Tetovës.

“Ne po forcojmë kapacitetet e spitalit dhe po përmirësojmë shërbimet shëndetësore për qytetarët e Tetovës dhe rajonit të Pollogut. Përgëzoj punonjësit shëndetësorë që morën vendimet e tyre dhe u uroj punë të suksesshme. Investimi në njerëz dhe në shëndetësi është investim në të ardhmen e qytetit tonë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që Spitali i Tetovës të ketë staf, kushte dhe ambiente që qytetarët tanë i meritojnë”, ka shkruar Kasami në Facebook.

Në manifestim, përveç kryetarit të Komunës së Tetovës dhe njërit prej bashkëkryetarëve të VLEN-it, ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, si dhe kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti. Ata morën pjesë edhe në ndarjen e vendimeve për punësim.

Prania e dy bashkëkryetarëve të VLEN-it në manifestimin ku u ndanë vendimet për punësim në Spitalin Klinik të Tetovës, institucion publik shëndetësor në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ngriti pyetjen se në çfarë cilësie Kasami dhe Mexhiti morën pjesë në ndarjen e këtyre vendimeve. Për këtë arsye, “360 Gradë” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorit të spitalit.

Nga Ministria e Shëndetësisë bënë të ditur se organizator i ngjarjes ishte Spitali Klinik i Tetovës dhe se përfaqësuesit e Ministrisë ishin vetëm të ftuar në ceremoni.

“Nikoqirët ishin nga Spitali Klinik i Tetovës. Ata i dërguan ftesat për ngjarjen dhe e përgatitën skenarin”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë për “360 Gradë”.

Për pyetje të tjera lidhur me këtë çështje, nga Ministria na drejtuan te drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.

Në një bisedë të shkurtër telefonike, Elezi hodhi poshtë pretendimet për karakter partiak dhe politizim të ngjarjes. Sipas tij, Kasami dhe Mexhiti ishin ftuar jo si bashkëkryetarë apo përfaqësues të VLEN-it, por në cilësinë e kryetarëve të komunave.Nuk ka asgjë politike. Vendime për punësim kanë ndarë edhe ministri Bekim Sali dhe ministri Sasho Klekovski. Ata nuk janë ftuar si bashkëkryetarë të VLEN-it, por si kryetarë komunash. Ne i kemi ftuar për t’i respektuar dhe u kemi dhënë nga pesë vendime për punësim për t’i ndarë. Ata nuk kanë mbajtur asnjë fjalim në këtë ngjarje. Madje, fillimisht as nuk ishte planifikuar që ata të ndanin vendime, por në fund vendosëm që t’ua jepnim për t’i ndarë”, tha drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se me ngjarjen praktikisht përfundoi projekti për punësimin e 1.500 personave që prej kohësh kanë qenë të angazhuar me kontrata, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do të përfundojë edhe projekti për punësimin e 600 praktikantëve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments