Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë parregullsish dhe dobësish në funksionimin financiar të Konviktit Shtetëror të Studentëve “Pelagonija” në Shkup, përfshirë prokurime me çmime dukshëm më të larta se ato të tregut, pajisje të paevidentuara dhe shpenzime të diskutueshme.
Një nga gjetjet më të spikatura ka të bëjë me furnizimin me bukë. Sipas revizorëve, në kontratën e vitit 2023 çmimi ishte përcaktuar në 57,46 denarë për kilogram, por furnizuesi kishte faturuar një copë bukë sikur të ishte një kilogram.
Kjo praktikë, për shkak të kontrolleve të dobëta të brendshme, është zbuluar vetëm në fund të vitit 2024. Pas vendosjes së evidencës ditore, faturat mujore gjatë vitit 2025 janë përgjysmuar.
Ndërkohë, me kontratën e re të vitit 2025, çmimi i bukës ka arritur në 126 denarë për kilogram, ndërsa sipas revizionit, çmimi i tregut ka qenë rreth 70 denarë për kilogram. Kjo është vlerësuar si tregues i përdorimit joekonomik të parave publike dhe kontrollit të dobët gjatë prokurimeve.
Parregullsi janë konstatuar edhe gjatë furnizimit me dyshekë. Në vitin 2023 janë blerë 250 dyshekë me vlerë totale prej 1,174 milionë denarësh, megjithëse specifikimet e tyre nuk përputheshin me ato të kërkuara në tender. Dyshekët, sipas revizorëve, nuk janë vënë asnjëherë në përdorim.
Më herët ishin blerë edhe 450 dyshekë nga i njëjti furnizues, ndonëse dyshekët ekzistues ishin në gjendje të mirë. Për më tepër, përmasat e dyshekëve të rinj nuk përputheshin me shtretërit dhe kishin ndikuar në stabilitetin e tyre.
Revizioni ka konstatuar gjithashtu se në evidencën e konviktit mungojnë pajisje me vlerë prej rreth 21,56 milionë denarësh. Për një pjesë të pajisjeve të kuzhinës, të paguara nga ministria kompetente, revizorët nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse ato kanë mbërritur fare në konvikt.
Janë evidentuar edhe dobësi në tenderët për mish, produkte të mishit, peshk dhe produkte bujqësore me kontrata në vlerë të përgjithshme prej mbi 20 milionë denarësh, ku në shumë raste është dorëzuar vetëm një ofertë.
Revizorët kanë ngritur shqetësime edhe për shpenzime për servisimin e pajisjeve pa dokumentacion të plotë, përdorimin e parave publike për një automjet privat të lejuar për qëllime zyrtare, si dhe mungesën e një sistemi funksional të kontrolleve të brendshme financiare.
