Shqipëria do të ndërpresë nga 3 shtatori 2026 importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas ndryshimeve të miratuara nga Bashkimi Europian për importet e produkteve me origjinë shtazore.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për masat që duhet të merren ndaj operatorëve që importojnë mish nga Brazili.
Sipas shkresës së Ministrisë, rregullat shqiptare e kushtëzojnë importin me miratimin nga Bashkimi Europian të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit në vendet e treta. Për këtë arsye, ndryshimet e bëra nga Komisioni Europian reflektohen drejtpërdrejt edhe në importet drejt Shqipërisë.
AKU-së i kërkohet të njoftojë operatorët e biznesit që importojnë mish gjedhi dhe mish shpendësh nga Brazili për ndryshimin e rregullave, të cilat do të zbatohen duke nisur nga 3 shtatori.
Çështja lidhet me kërkesat e BE-së për përdorimin e medikamenteve veterinare dhe substancave të caktuara në kafshët prej të cilave prodhohen ushqime. Rregullorja e re europiane parashikon pikërisht datën 3 shtator 2026 për zbatimin e kërkesave që prekin Brazilin.

Vendimi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në tregun shqiptar, pasi Brazili prej vitesh është një nga burimet kryesore të furnizimit me mish me çmime konkurruese, si për konsum ashtu edhe për industrinë e përpunimit.
Sipas të dhënave të cituara nga Top Channel, vetëm gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili rreth 28.5 milionë dollarë mish dhe të brendshme, ndërsa rreth 10.1 milionë dollarë i përkisnin kategorisë së mishit të shpendëve.
Me hyrjen në fuqi të kufizimeve, importuesit shqiptarë do të duhet të orientohen drejt tregjeve të tjera për të zëvendësuar një pjesë të furnizimeve që deri tani siguroheshin nga Brazili.
