Bashkimi Demokratik për Integrim ka kritikuar spotin e Qeverisë për 35-vjetorin e pavarësisë, duke e akuzuar atë se paraqet një version ekskluzivisht maqedonas të historisë së shtetit, pa përfshirjen e shqiptarëve. Sipas BDI-së, përfshirja e figurave të lidhura me ngjarjet e 27 prillit e bën spotin edhe më problematik dhe dëshmon, siç thonë ata, për një politikë përjashtuese të Qeverisë. “35-vjetori duhej të tregonte shtetin që kemi ndërtuar bashkë, ndërsa Qeveria zgjodhi një vizion ku shqiptarët janë të padukshëm”, thuhet në reagim.“Edhe më shqetësuese është ajo që Qeveria ka vendosur ta fshijë nga historia. Në spot nuk ka Marrëveshje të Ohrit, dokumentin që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe vendosi themelet e karakterit multietnik të shtetit. Nuk ka anëtarësimin në NATO – një nga arritjet më të mëdha strategjike të vendit. Nuk ka Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Pra, janë fshirë pikërisht momentet historike që e transformuan shtetin nga një projekt etnik në një shtet të përbashkët, që e ankoruan në NATO dhe që e hapën rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thonë nga BDI.
I pyetur për këtë, zëdhënësi i VLEN dhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, tha se nuk e ka parë spotin për 35-vjetorin e pavarësisë dhe nuk është i informuar për planifikimin e organizimit.“Ta them të drejtën nuk e kam parë as unë spotin dhe nuk e di cili është planifikimi i qeverisë në lidhje me organizimin që po e përmendni, por do të marrim informata dhe do të ju njoftojmë, patjetër”, deklaroi Driton Sulejmani, zëdhënës VLEN & zv/ministër i Arsimit .
Një ditë më parë, edhe Aleanca për Shqiptarët e cilësoi spotin qeveritar si një material njëetnik dhe kërkoi tërheqjen e tij, duke kërkuar një version të ri që pasqyron në mënyrë gjithëpërfshirëse edhe kontributin e shqiptarëve.
