BallinaLajmeSkandal në Ministrinë e Kulturës: Kërkohet këshilltar për kulturë vetëm me fakultet...

Skandal në Ministrinë e Kulturës: Kërkohet këshilltar për kulturë vetëm me fakultet ekonomik, akuzon Levica

Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në kulmin e sezonit veror, ka shpallur konkurs për punësimin e dy këshilltarëve të posaçëm në Kabinetin e ministrit – një këshilltar për çështje juridike dhe një këshilltar për kulturë. Afati për aplikim është vetëm tre ditë.

Ministria, e cila tashmë ka 17 këshilltarë shtetërorë, që përbëjnë rangun më të lartë në administratë, tani ka nevojë edhe për këshilltarë të rinj kabineti me pagë bazë neto prej 60.000 denarësh.

Për këshilltarin për çështje juridike kërkohet vetëm një vit përvojë pune, ndërsa për pozitën e “këshilltarit për kulturë” nuk kërkohet arsimim në fushën e kulturës, artit apo menaxhimit kulturor, por diplomë në ekonomi, konkretisht në fushën e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, bëjnë të ditur nga Levica.

Nga partia thonë se qytetarët kanë vetëm tre ditë për të aplikuar, ndërsa Ministria ka deri në katër muaj për ta “zgjedhur” kandidatin.

“Me të drejtë shtrohet pyetja pse afati për aplikim është vetëm tre ditë dhe pse konkurset e tilla vazhdimisht publikohen gjatë periudhës së pushimeve verore, kur një pjesë e madhe e kandidatëve potencialë janë jashtë vendeve të punës dhe institucioneve.

Veçanërisht është simptomatike që për ‘këshilltar për kulturë’ nuk kërkohet asnjë kualifikim profesional nga fusha e kulturës.

Mbetet përshtypja se konkursi nuk është shpallur për të gjetur kandidatin më të kualifikuar, por për të përmbushur formalisht një vendim kadrovik tashmë të përcaktuar.

Çfarë saktësisht do të këshillojë një ekonomist i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare në Kabinetin e ministrit të Kulturës – për politikat kulturore, muzetë, teatrot, muzikën, artin bashkëkohor, botimet? Apo ndoshta emërtimi ‘këshilltar për kulturë’ është vetëm formalitet, ndërsa profili profesional i kandidatit është përcaktuar paraprakisht?”, pyesin nga Levica.

Partia pyet gjithashtu se çfarë do të këshillojnë konkretisht këshilltarët e rinj, pse nuk mjaftojnë këshilltarët ekzistues dhe çfarë bëjnë në të vërtetë ata.

Në vend të përdorimit racional të stafit ekzistues dhe forcimit të profesionalizmit në institucione, pushteti vazhdon të krijojë pozita të reja kabinetike, të cilat ngjallin dyshime serioze se shërbejnë për punësime partiake dhe shpërblimin e kuadrove ‘meritore’.

Ky është edhe një shembull i mënyrës se si pushteti i trajton institucionet shtetërore si qendra kadrovike partiake. Ministria e Kulturës duhet të jetë institucion ku punojnë profesionistë të fushës së kulturës, dhe jo hapësirë për privilegje kabinetike dhe punësime partiake të maskuara pas konkurseve formale”, thuhet në reagimin e partisë.

Levica apelon për përdorim racional të kuadrit ekzistues shtetëror, si dhe për procedura transparente dhe të drejta gjatë konkurseve për punësim dhe angazhim të kuadrove.

Sipas tyre, afatet duhet t’u mundësojnë të gjithë kandidatëve të interesuar dhe të kualifikuar të marrin pjesë realisht në procedurë, dhe jo që konkurset të publikohen në mes të pushimeve verore me afat vetëm tre ditë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments