Buka dhe produktet e bardha të furrës pritet të shtrenjtohen nga 3 deri në 5 denarë nga shtatori, për shkak të rritjes së kostove të energjisë, lëndëve të para dhe ambalazhit.
Furrtarët nga Shtipi thonë se në këtë rast, një mëngjes mesatar me burek dhe kos do të kushtojë rreth 110 denarë. Ata shtojnë se deri tani kanë arritur t’i mbajnë çmimet falë rezervave që i kanë blerë me çmime të vjetra. Por, me shpenzimin e këtyre rezervave dhe një rritje eventuale të re të çmimeve të lëndëve të para, paralajmërojnë se do të detyrohen t’i rrisin çmimet.
“Pra, është e pashmangshme që çmimi të rritet me rreth 3 deri në 5 denarë, po flas për çdo produkt të furrës. Se si do të jetë nga shtatori, do të shohim. Me shumë gjasë do të ketë një rritje të lehtë prej 3 deri në 5 denarë për produkt. Megjithatë, do të shohim se si do të jetë situata. Ne ndoshta do ta përballojmë edhe shtatorin, por do të duhet të reagojmë. Edhe energjentët janë shtrenjtuar prej kohësh dhe disi këtë rritje do ta kompensojmë me rezervat e miellit dhe materialeve të tjera që i kemi blerë me çmimet e vjetra. Do të shohim si do të reagojnë, nëse do të ketë rritje të çmimeve të lëndëve të para. Ndërkohë, tashmë kemi rritje të çmimit të ambalazhit”, tha Malinov.
Në këtë rast, furrtari nga Shtipi, Nikollçe Malinov, thotë se bureku me gjizë do të kushtojë rreth 75 denarë, ndërsa bureku me pica ose me mish do të jetë pak më i shtrenjtë.
“Nëse shtrenjtohet për 5 denarë, do të kushtojë rreth 75 denarë, varësisht nga furra dhe çmimi me të cilin e shet. Një mëngjes mesatar do të kushtojë diku nga 90 deri në 100 denarë. Nëse është burek me pica ose burek me mish, ai është pak më i shtrenjtë, kështu që do të kushtojë nga 105 deri në 110 denarë”, shton Malinov.
Se sa saktësisht do të shtrenjtohen buka dhe produktet e bardha të furrës, pritet të bëhet e ditur së shpejti. Furrtarët thonë se do t’i ndjekin çmimet e miellit dhe materialeve të tjera, pas së cilës do të përcaktojnë edhe çmimet e reja.
