Flamuri kombëtar i Ukrainës me mbishkrimin “Free Ukraine” (Ukraina e lirë), u hoq nga ndërtesa disakatëshe pranë sheshit “Zahir Pajaziti” të dielën.
Prishtinë
Është hequr flamuri gjigant i Ukrainës i vendousur në qendër të Prishtinës që nga koha kur nisi lufta Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
Flamuri kombëtar i Ukrainës me mbishkrimin “Free Ukraine” (Ukraina e lirë), u hoq nga ndërtesa disakatëshe pranë sheshit “Zahir Pajaziti” të dielën.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar disa pamje të këtij procesi, duke thënë se kur Kosova nuk respektohet, komuna që ai udhëheq do të përgjigjet njëjtë.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjjet gjithmonë njëjtë. Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shkruar Rama.
Flamuri ka qëndruar i vendosur në të njëjtin vend për rreth katër vjet.
Shteti i Kosovës për vite me radhë i është bashkuar shteteve perëndimore duke dënuar veprimet e shtetit rus në Ukrainë dhe duke i vendosur sanksione Rusisë.
Heqja e flamurit gjigant në Prishtinë vjen pasi një ditë më parë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vizitoi Serbinë dhe zhvilloi takim me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë një konferenceje për media, deklaroi se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së shtetësisë së Kosovës.
