Pas lajmit të djeshëm të Portalb.mk për mospublikimin e mbi 80 procesverbaleve nga mbledhjet e Qeverisë në gjuhën shqipe, sot ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Ata dënojnë këtë shpërfillje të detyrimeve ligjore ndaj përdorimit të gjuhës shqipe dhe kërkon përgjegjësi institucionale.
“Një skandal i ri është zbuluar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Për afro një vit, procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë nuk janë publikuar në gjuhën shqipe. Procesverbali i fundit i publikuar në shqip është i datës 19 shtator 2025. Që nga ajo kohë janë mbajtur 83 seanca të Qeverisë, ndërsa procesverbalet e tyre vazhdojnë të mungojnë në versionin shqip të faqes zyrtare. Bëhet fjalë për dokumentacion zyrtar të institucionit më të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe për një periudhë prej 11 muajsh. Një numër kaq i madh dokumentesh të papublikuara kërkon sqarim të plotë për mënyrën se si po zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve brenda vetë Qeverisë.vSituata është edhe më serioze pasi çështja është ngritur publikisht edhe më herët, ndërsa përfaqësues të s’vlen-it kanë deklaruar se procesverbalet janë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe. Sot, 83 procesverbale të njëpasnjëshme vazhdojnë të mos jenë të qasshme në shqip”, thuhet në kumtesën e partisë opozitare.
Kërkojnë nga Qeveria të bëjë publike arsyet për mosbotimin e këtyre procesverbaleve, të sqarojë se kush mban përgjegjësi për këtë situatë dhe të publikojë menjëherë të gjithë dokumentacionin që mungon në gjuhën shqipe.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve përcakton edhe sanksione për mosrespektimin e dispozitave të tij. Institucionet kompetente duhet të konstatojnë nëse në këtë rast janë përmbushur kushtet për përgjegjësi dhe të veprojnë në përputhje me ligjin. s’Vleni-i gjithashtu duhet t’u përgjigjet shqiptarëve se si ka lejuar që për 11 muaj dhe 83 seanca të Qeverisë kjo situatë të vazhdojë pa u korrigjuar. Kërkojmë zbatim të ligjit, publikimin e menjëhershëm të procesverbaleve në gjuhën shqipe dhe përgjegjësi për këtë skandal. Ta thërrasim Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve që të veprojë tashmë pothuajse nuk vlen . s’vlen-i e ka degraduar dhe dobësuar deri në atë pikë sa ky institucion, që duhej të ishte një nga mekanizmat kryesorë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është bërë praktikisht i pafuqishëm”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Procesverbali i fundit i përkthyer në gjuhën shqipe është i datës 19 shtator 2025. Që atëherë, pra 11 muaj apo gati se një vit, në kategorinë e procesverbaleve në gjuhën shqipe nuk figurojnë madje as seancat e mbajtura deri më tani, dhe që në numër janë 83.

Përbërja aktuale e qeverisë deri më tani ka mbajtur 193 seanca, mungesë të procesverbaleve ka edhe në gjuhën maqedonase për 25 seancat e fundit, i fundit i publikaur është më 5 qershor.

Portalb.mk edhe para disa muajve e trajtoi këtë çështje ku i pyetëm direkt dy ish-zëvendëskryeministrat e VLEN-it, Arben Fetain dhe Izet Mexhitin, megjithatë pavarësisht se ata pretendonin se procesverbalet ishin edhe në shqip realiteti nuk ishte ashtu.
Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.
