Turistët nga Maqedonia e Veriut nuk mund të marrin më me qira automjete në Itali me patentë-shofer të Maqedonisë së Veriut, edhe pse të dyja shtetet kanë marrëveshje për njohjen dhe zëvendësimin reciprok të patentë-shoferëve. Në të njëjtën kohë, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me qëndrim të përhershëm në Itali nuk mund ta zëvendësojnë më patentën e Maqedonisë me një italiane dhe duhet ta japin provimin nga e para, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.
Turistët nga Maqedonia që kanë mbërritur këtë javë në Itali janë refuzuar nga kompanitë e makinave me qira me arsyetimin se prej dy ose tre muajsh kanë marrë udhëzim të mos japin automjete me qira nëse patentë-shoferi i klientit nuk është i lëshuar nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Sipas tyre, nevojitet patentë-shofer ndërkombëtar, pasi patenta maqedonase nuk figuron në katalogun e modeleve të patentë-shoferëve që përdorin.
“Na skanojnë dhe na fotografojnë pa fund në kufij, tani na rezulton se nuk vlejnë më as patentë-shoferët, edhe pse përmbajnë të njëjtat të dhëna biometrike”, thotë një turist i Maqedonisë në Itali.
Jozyrtarisht mësohet se deri më tani autoritetet italiane kanë treguar tolerancë ndaj turistëve, por së fundmi edhe kjo praktikë është ndërprerë.
Zyrtarisht, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se vendi ka marrëveshje me Italinë, por se “aktualisht në Republikën Italiane nuk është i mundur zëvendësimi i patentë-shoferëve me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa patentë-shoferët me mbishkrimin ‘Republika e Maqedonisë’ vazhdojnë të zëvendësohen. Po punohet për zgjidhjen e kësaj çështjeje”.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut ishin të detyruar t’i zëvendësonin patentë-shoferët me mbishkrimin “Republika e Maqedonisë” deri më 1 janar 2025.
Problemi me mosnjohjen dhe pamundësinë e zëvendësimit të patentë-shoferëve të Maqedonisë në Itali po ndikon seriozisht te mërgimtarët, pasi disa prej tyre tashmë po humbin vendet e punës kur ato varen nga drejtimi i automjeteve.
Sipas informacioneve, problemi nuk lidhet me ndryshimin e emrit të shtetit, por me papajtueshmërinë teknike ndërmjet dy modeleve të patentë-shoferëve. Nga pala maqedonase janë shtuar kategori shtesë, si ajo për makineritë bujqësore. Për këtë arsye, autoritetet italiane kanë kërkuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për njohjen dhe zëvendësimin e patentë-shoferëve, gjë që ka imponuar përsëritjen e të gjithë procedurës administrative.
Procesi i ri përfshin harmonizimin e sërishëm të dokumenteve dhe rregulloreve ndërmjet institucioneve. Pasi procedura të përfundojë, të gjitha autoshkollat dhe kompanitë e makinave me qira do të njoftohen zyrtarisht.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme kanë bërë të ditur se janë duke u zhvilluar harmonizimet përfundimtare të Marrëveshjes për njohjen e patentë-shoferëve ndërmjet dy shteteve, të cilat duhet të përfundojnë nga pala italiane.
“Nga pala maqedonase janë përmbushur të gjitha formalitetet e nevojshme, ndërsa aktualisht pritet miratimi përfundimtar nga institucionet kompetente në Itali, pas së cilit do të vijojë procedura për nënshkrimin e marrëveshjes. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në koordinim me institucionet kompetente, po punon aktivisht për përfundimin e këtij procesi”, thanë nga MPJ.
