BallinaLajmeMarta Kos sot në Shkup, në fokus rruga evropiane dhe reformat

Marta Kos sot në Shkup, në fokus rruga evropiane dhe reformat

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Shkup, ku do të zhvillojë takime me krerët e shtetit për ecurinë e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor njofton agjencia e lajmeve INA.

Gjatë vizitës, Kos do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski. Në agjendë janë paraparë fillimisht bisedime kokë më kokë, të cilat do të pasohen nga një takim me delegacionin qeveritar. Pas përfundimit të takimeve, Mickoski dhe Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Komisionerja evropiane do të zhvillojë takime edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.

Në kuadër të vizitës, Kos do të vizitojë edhe konviktin studentor “Steve Naumov”, i cili është rinovuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Ajo do të takohet edhe me përfaqësues të organizatave rinore për të diskutuar mundësitë që u ofrojnë të rinjve programet evropiane, si “Erasmus+” dhe “Horizon Europe”. Gjithashtu, janë planifikuar takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, me fokus reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe agjendën evropiane.

Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfituar 142,1 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, si rezultat i përparimit në zbatimin e obligimeve reformuese.

Në një intervistë për MIA, Marta Kos vlerësoi se vendi ka dëshmuar se mund të arrijë rezultate kur ekziston vullnet politik.

“Këtë e shohim qartë në rezultatet e arritura në zbatimin e agjendës reformuese. Do të vij në Shkup për ta inkurajuar Qeverinë që të tregojë të njëjtin angazhim edhe në negociatat për anëtarësim. Tani kemi një mundësi që ndodh vetëm një herë në një brez për ta realizuar zgjerimin. Ata që i përmbushin obligimet e tyre përparojnë, ndërsa ata që nuk i përmbushin mbeten prapa”, deklaroi Kos.

Ajo theksoi se përparimi në negociatat e anëtarësimit varet nga besimi mes vendeve kandidate dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke shtuar se ky besim ndërtohet përmes përmbushjes së obligimeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Kos theksoi gjithashtu se në procesin e zgjerimit nuk ekziston praktikë që vendeve kandidate t’u jepen garanci se nuk do të lindin mosmarrëveshje të reja dypalëshe gjatë rrugës drejt anëtarësimit.

Duke komentuar edhe non-paper-in franko-gjerman për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ajo njoftoi se pas verës Komisioni Evropian synon të propozojë forma të reja për afrimin e vendeve kandidate me Bashkimin Evropian para anëtarësimit të plotë. Megjithatë, sipas saj, ky proces do të varet nga përparimi në negociatat e anëtarësimit, pasi pa rezultate konkrete integrimi gradual do të mbetet i kufizuar

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments