BallinaLajmeBekim Tateshi-LSH: Mbyllja e Imunologjisë dëshmi e sistemit jofunksional...

Bekim Tateshi-LSH: Mbyllja e Imunologjisë dëshmi e sistemit jofunksional…

Mbyllja e repartit të Imunologjisë në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik dhe profesional. Lidhur me këtë situatë ka reaguar mjeku i njohur, dr. Bekim Tateshi, i cili ka alarmuar se sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ndodhet në një gjendje jashtëzakonisht serioze dhe jofunksionale. Sipas Tateshit, kjo krizë nuk erdhi brenda natës, por është rezultat i politikave të gabuara të ndjekura ndër dekada, ku mungesa e reformave të mirëfillta dhe përdorimi i shëndetësisë për qëllime populiste kanë çuar në mbajtjen artificiale të një sistemi të stërngarkuar. Ai shton se fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar dhe se ka edhe shumë probleme të tjera të ngjashme që ende nuk kanë dalë në sipërfaqe.

Në reagimin e tij, Tateshi ka dalë në mbështetje të drejtorit aktual të Klinikës së Fëmijëve, dr. Rexhepit, të cilin e njeh që nga ditët e specializimit dhe e vlerëson lart si një mjek të përkushtuar dhe njeri me integritet. Ai ka nënvizuar se dr. Rexhepi ka pranuar një detyrë jashtëzakonisht të vështirë dhe po përpiqet të shpëtojë një anije që prej kohësh po fundoset.

Duke parë këtë situatë alarmante, dr. Tateshi i ka drejtuar një thirrje direkte ekzekutivit që të ndezë alarmin e kuq dhe të ulet urgjentisht në një tryezë me profesionistët dhe ekspertët e shëndetësisë për të dëgjuar zërin e tyre. Ai kërkon ndërmarrjen e masave të menjëhershme, duke potencuar se nëse sot është e pamundur rihapja e reparteve të mbyllura, të paktën të parandalohet mbyllja e të tjerave. Tateshi e mbyll reagimin e tij duke porositur se shëndetësia nuk ka më kohë për improvizime, dhe se si pacientët ashtu edhe profesionistët meritojnë zgjidhje konkrete e jo arsyetime.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments