BallinaLajmeMinistri i Shtetit për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha...

Ministri i Shtetit për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha pret ambasadorin e ri të Maqedonisë së Veriut: Ligji për Gjuhët dhe Korridori 8, kushte kyçe për rrugën evropiane

Ministri i Shtetit për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka pritur sot në një takim zyrtar Ambasadorin e ri të Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, Vele Tërpevski.

Në këtë takim fillestar, ministri Hoxha rikonfirmoi se për Shqipërinë, Maqedonia e Veriut është shumë më tepër se një fqinj dhe mik. Ajo është një aleat i çmuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal, me të cilin ndahet një vizion i përbashkët për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë bashkëbisedimit u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe afatgjata midis dy vendeve. Po ashtu, u nënvizua rëndësia strategjike e integrimit evropian për të dyja shtetet dhe për të gjithë rajonin, si investimi më i mirë për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Një theks tejet të veçantë ministri i Jashtëm i Shqipërisë i ka kushtuar respektimit të plotë dhe zbatimit të qëndrueshëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Hoxha potencua se kjo çështje nuk është vetëm një parim i rendit kushtetues dhe barazisë, por gjithashtu një shtyllë kyçe në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut, që pasqyron përkushtimin e vendit ndaj standardeve demokratike, gjithëpërfshirjes dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Palët ranë dakord për të forcuar më tej dialogun politik në të gjitha nivelet dhe për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Në këtë kuadër, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë kritike të avancimit të Korridorit VIII – një projekt strategjik infrastrukture për ndërlidhjen, rritjen ekonomike dhe zhvillimin rajonal, i cili do të afrojë edhe më shumë dy vendet dhe popujt tanë, duke përforcuar perspektivën evropiane të të gjithë rajonit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments