Qindra studentë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova u mblodhën sot në Tiranë, në një tubim në mbështetje të studentëve shqiptarë në RMV, ndërsa mbajtën edhe fjalime para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, ku kërkuan sërish zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Gjatë protestës, studentët theksuan se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre dhe se kërkojnë respekt për identitetin dhe për kombin shqiptar.
“Vëllezër dhe motra shqiptarë, nuk e keni idenë se sa krenari është t’ju shoh të gjithëve këtu të bashkuar. Sot nuk jemi mbledhur këtu thjesht për një protestë, por për dinjitetin tonë kombëtar, për studentët shqiptarë në Maqedoni dhe për gjuhën shqipe që është identiteti ynë.
Ne nuk mund të heshtim kur preken shqiptarët, kur preket gjuha që na kanë lënë amanet të parët tanë, sepse është gjaku, historia dhe krenaria jonë. Ne nuk kërkojmë mëshirë, kërkojmë respekt për studentët tanë, për identitetin tonë dhe për kombin shqiptar. Sot tregojmë se studentët shqiptarë nuk kanë frikë të ngrenë zërin për kombin e tyre”, u shpreh një nga studentët.
Ndërkohë, një tjetër student theksoi se shqiptarët nuk janë të vetëm në këtë kauzë dhe se Shqipëria e Kosova do t’u qëndrojnë pranë deri në realizim të kërkesave.
“Ata menduan se studentët shqiptarë në RMV janë vetëm, por harruan se një Shqipëri e tërë i ka sytë e mendjes dhe zemrës mbi ta. Shija e pushtetit u bëri gjakun ujë disave, i bëri të pyesin nëse vlen apo nuk vlen kauza e studentëve shqiptarë. Nuk u interesuan se si 40 të rinj shqiptarë, studentë nga Tirana u ndodhën nën terror psikologjik tetë orë rrugëve të Maqedonisë. Por, nga dëshpërimi për pushtet… turp, turp, turp”, deklaroi ai.
“Mos mendoni se zëri juaj nuk dëgjohet. Çdo i ri që bashkohet bëhet forcë për këtë komb. Ne duhet ta shohim si detyrë ndaj kombit tonë, të mos jemi brez indiferent, të jemi brezi që u bashkua, që foli dhe mbrojti gjuhën shqipe me krenari sepse kombi mbahet gjallë nga ata që nuk heqin dorë prej tij!”, tha një tjetër studente e pranishme në protestë.
Studentëve shqiptarë në protestë iu bashkua edhe gazetari Marin Mema, i cili theksoi se bashkimi kombëtar është mbi çdo ndasi politike dhe se shqiptarët do luftojnë për pëllëmbë të trojeve shqiptare.
“Edhe 100-fish më shumë do të bëhemi, të gjithë bashkë, sepse kombi, kombi është mbi çdo parti. Ngjyrat kuqezi janë mbi çdo ngjyrë tjetër, dhe ne të rinjtë e kërkojmë kombin, që e duam me shpirt pa asnjë interes. Do të luftojmë çdo ditë për Shqipërinë dhe çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare”, u shpreh ai.
