BallinaLajmeMevlan Ademi paralajmëron vazhdimin e protestave: Pas Tiranës dhe Prishtinës, rikthehemi para...

Mevlan Ademi paralajmëron vazhdimin e protestave: Pas Tiranës dhe Prishtinës, rikthehemi para Qeverisë në Shkup

 Lëvizja Studentore Shqiptare ka paralajmëruar vazhdimin e aktiviteteve dhe protestave në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se kërkesa për respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të vazhdojë pa kompromis, shkruan gazeta KOHA.

Përmes një njoftimi publik, përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, bëri të ditur se pas mobilizimit në Shkup, aktivitetet do të shtrihen edhe në Tiranë e Prishtinë, për t’u rikthyer më pas sërish në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

“Zëri ynë nuk do të ndalet, ashtu siç nuk do të ndalet as kërkesa jonë pa kompromis për zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, theksoi Ademi.

Ai njoftoi se më 26 maj do të mbahet një tubim në Tiranë, ndërsa më pas aktivitetet do të vazhdojnë edhe në Prishtinë, për të kulmuar me një rikthim të protestuesve në Shkup.

“Më 26 Maj mblidhemi në Tiranë, pas saj në Prishtinë, e më pas, bashkë si ‘të paedukatë’ që na quajnë, do të rikthehemi sërish në Shkup, kësaj here para Qeverisë që shkel mbi të drejtat tona me arrogancë”, deklaroi ai.

Sipas Ademit, studentët dhe mbështetësit e tyre nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat që lidhen me respektimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.

“Ne nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk do të heshtim. Gjuha shqipe nuk negociohet”, përfundon deklarata e tij.

Lëvizja Studentore Shqiptare prej muajsh kërkon që provimi i Jurisprudencës dhe procedurat përkatëse të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, duke argumentuar se kjo e drejtë buron nga Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve. Protestat e organizuara deri më tani kanë mbledhur mbështetjen e studentëve, profesorëve, aktivistëve dhe qytetarëve nga vendi dhe rajoni. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments