Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
-Buxheti prej rreth 10.8 milionë eurosh për organizimin e zgjedhjeve, në vlerësim teknik dhe operativ, nuk del jashtë praktikave të mëparshme. Organizimi i zgjedhjeve kërkon shpenzime të konsiderueshme për logjistikë, personel, material zgjedhor dhe procesin e votimit brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, fakti që shifra është brenda normales nuk mjafton për ta konsideruar procesin të avancuar. Çështja thelbësore mbetet nëse këto mjete po përdoren për të rritur cilësinë e zgjedhjeve, transparencën dhe besimin publik, apo thjesht për të përmbyllur një proces teknik brenda afateve të caktuara. Nëse në këto zgjedhje nuk do të eliminohen devijimet e ciklit të fundit zgjedhor, atëherë buxheti mbetet më shumë një tregues administrativ sesa demokratik.
Më problematike paraqitet çështja e fushatës zgjedhore, e cila është kufizuar në një periudhë shumë të shkurtër, rreth dhjetëditore. Një afat i tillë e zvogëlon ndjeshëm hapësirën për debat publik, përballje programesh dhe informim të plotë të qytetarëve. Në praktikë, qytetarët kanë më pak kohë për të krahasuar alternativat politike, ndërsa debati publik rrezikon të mbetet sipërfaqësor dhe i nxituar. Në këto kushte, partitë me struktura më të mëdha dhe me qasje më të fortë mediatike përfitojnë avantazh të dukshëm, duke e zhvendosur garën nga përmbajtja e ideve te fuqia organizative dhe ekspozimi publik. Kjo krijon një garë që formalisht është e hapur, por në thelb më pak e balancuar.
Një tjetër element me peshë është edhe pjesëmarrja e diasporës, e cila në rastin e Kosovës përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trupit elektoral. Megjithatë, mekanizmat aktualë të pjesëmarrjes nuk arrijnë të reflektojnë plotësisht këtë realitet. Afatet e shkurtra për regjistrim, procedurat administrative dhe varësia nga dërgimi i votës me postë krijojnë pengesa praktike që ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e pjesëmarrjes. Edhe votimi në përfaqësi diplomatike, i kufizuar në kohë dhe kapacitete, nuk arrin të ofrojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Si rezultat, një pjesë e diasporës do të mbetet e nënpërfaqësuar në proces.Në tërësi, këto zgjedhje do të tregojnë një tension të qartë midis funksionimit teknik-administrativ dhe cilësisë demokratike. Nga njëra anë, procesi mund të realizohet brenda kornizave organizative dhe buxhetore; nga ana tjetër, mbeten pikëpyetje serioze për nivelin e përfshirjes, barazinë e garës dhe cilësinë e informimit të votuesve. Kjo do të thotë se zgjedhjet mund të jenë teknikisht të rregullta, por jo domosdoshmërisht përfaqësuese në kuptimin substancial të demokracisë.
Në fund, sfida për Kosovën mbetet e qartë: të mos mjaftohemi vetëm me organizimin formal të zgjedhjeve, por të forcojmë edhe përmbajtjen e tyre demokratike. Sepse një proces zgjedhor nuk matet vetëm me mënyrën se si zhvillohet në ditën e votimit, por me gjithë hapësirën që i paraprin procesit dhe cilësinë e pjesëmarrjes që garanton.
