Ministria e Shëndetësisë, në përputhje me vendimin e Qeverisë, ka shpallur procedurën e prokurimit publik për furnizimin me 100 automjete të reja të ndihmës së shpejtë, të pajisura me aparaturë moderne mjekësore për institucionet shëndetësore në të gjithë vendin.
Vlera e këtij investimi arrin në 461 milionë denarë, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave mbetet i hapur.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se ky furnizim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimeve emergjente.
“Furnizimi me 100 automjete të reja të ndihmës së shpejtë do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetin e sistemit shëndetësor për reagim në raste urgjente dhe do të mundësojë ndërhyrje më të shpejtë dhe më efikase, si dhe transport të sigurt dhe në kohë të pacientëve”, deklaroi ai.
Nga Ministria bëjnë të ditur se ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë për modernizimin e sistemit shëndetësor, me fokus forcimin e shërbimit të urgjencës dhe rritjen e kapaciteteve për reagim në situata krize.
Ky investim pritet të rrisë ndjeshëm efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore, duke siguruar reagim më të shpejtë dhe më të organizuar në të gjithë territorin e vendit.
