Gjendja në Gjimnazi i Tetovës po ngre shqetësime serioze për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi dhe aktivitetet e nxënësve,
Sipas Bajram Rexhepi nga BDI, ambientet e shkollës janë lënë në mëshirë të fatit. Oborri i mbushur me mbeturina, fushat sportive të shndërruara në parkingje të egra dhe hapësirat e gjelbra që po degradojnë, sipas tij, përbëjnë një realitet të papranueshëm për një institucion arsimor.
Po ashtu, ai thekson se salla sportive e shkollës, e cila duhet të jetë në shërbim të nxënësve, vazhdon të qëndrojë e mbyllur dhe jashtë funksionit, duke ua mohuar nxënësve mundësinë për sport dhe aktivitete fizike.
Në reagimin e tij, Rexhepi kritikon edhe Komuna e Tetovës, duke e akuzuar për mungesë vizioni dhe investimesh në arsimin e të rinjve. Sipas tij, institucionet publike po degradojnë për shkak të mungesës së strategjisë zhvillimore dhe neglizhencës ndaj arsimit.
Postimi i plotë i z.Rexhepi
GJIMNAZI I TETOVËS, NGA INSTITUCION ELITAR NË NJË REALITET TRONDITËS
Shkolla e mesme ku dikur edhe unë mësova, sot është shndërruar në një pamje që të kujton skena filmash horror.
Gjimnazi i Tetovës, dikur simbol i dijes dhe krenarisë, sot është lënë në mëshirë të fatit. Oborri i mbushur me mbeturina, fushat sportive të shndërruara në parkingje të egra, dhe hapësirat e gjelbra që po kthehen në strehë për qen endacakë.
Salla sportive, që duhet të jetë në shërbim të nxënësve, qëndron e mbyllur dhe jashtë funksionit. Fëmijëve u mohohet e drejta për sport, për zhvillim dhe rekreim dhe për një ambient të denjë shkollor.
Kjo është pasojë direkte e një udhëheqjeje pa vizion, pa përgjegjësi dhe pa ndjenjë elementare për arsimin.
Komuna e Tetovës, në vend që të investojë në të ardhmen e të rinjve, është zhytur në korrupsion dhe shërben interesat e një rrethi të ngushtë, mafias urbane, ndërsa institucionet publike degradojnë çdo ditë.
Improvizim, mungesë totale strategjie zhvillimore dhe një realitet i hidhur, korrupsion dhe shpërfillje ndaj arsimit.
Nxënësit dhe fëmijët tanë meritojnë shkolla dhe arsim dinjitoz!
