3.3 C
Tetovo
E premte, 22 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaKombësitë kineze me më pak se 100 mijë veta ( pjesa 2...

Kombësitë kineze me më pak se 100 mijë veta ( pjesa 2 )

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kinë, ka 19 kombësi kineze me më pak se 100 mijë banorë, që janë kombësia taxhike, pumi, achang, nu, ewenke, jing, jinuo, de’ang, bao’an, ruse, yugu, uzbeke, menba, elunchun, dulong, hezhe, gaoshan, tatare e luoba.

Kombësia taxhike

Image

Kombësia taxhike ka një popullsi prej më shumë se 50 000 vetash, shumica e të cilëve jetojnë në kontenë autonome taxhike të Tashkurganit në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, ndërsa pjesa tjetër gjendet e shpërndarë në lokalitetet e kombësisë taxhike Zepu, Shache, Aketao, Yecheng dhe Pishan në Xinjiang-un Jugor. “Tashkurgan” në gjuhën taxhike do të thotë “kalaja e gurit”, ose vendi ku kanë jetuar taxhikët brez pas brezi që nga lashtësia. Kombësia taxhike flet gjuhën e vet, e cila i përket grupit të gjuhëve pamire të degës iraniane lindore të familjes indo-europiane, dhe përfshin dy dialekte, sarikoli dhe vakhi. Gjuha taxhike nuk ka alfabet të vetin dhe përdor atë të gjuhës ujgure.

Image

Taxhikët dikur besonin në shumë fe, ndërsa tani në islam, megjithëse disa forma të besimeve të vjetra kanë mbetur. Kështu, disa prej tyre ende nderojnë zjarrin, diellin dhe shqiponjën. “Vallja e shqiponjës” e taxhikëve imiton kryesisht lëvizjet e këtij shpendi.

Kombësia pumi

Image

Kombësia pumi ka një popullsi prej më shumë se 42 000 vetash. Përveç Yunnan-it, pjesëtarët e kësaj kombësie gjithashtu jetojnë edhe në provinca të tjera, në rajone autonome dhe qytete të varura drejtpërdrejt nga qendra. Ata janë të shpërndarë kryesisht në kontenë autonome të kombësive bai dhe pumi Lanping dhe në kontenë autonome të kombësisë yi Ninglang në pllajën veriperëndimore të provincës Yunnan. Banorë të kësaj kombësie jetojnë edhe në kontenë autonome të kombësisë naxi Yulong, kontenë Yongsheng, prefekturën autonome të kombësisë tibetane Diqing, qytetin Lijiang, kontenë autonome të kombësisë yi Weixi, kontenë Shangri-La etj. Gjuha pumi i takon degës së gjuhëve tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane dhe shkruhet me alfabet tibetian.


Lexoni edhe: 

Kombësitë kineze me më pak se 100 mijë veta


Banorët e kombësisë pumi jetojnë kryesisht bashkë me pjesëtarë të kombësive të tjera, prandaj edhe shumica e tyre flasin gjuhën e disa kombësive, duke përfshirë yi, bai, naxi dhe hane. Sot brezi i ri përdor gjuhën standarde kineze si një gjuhë të përditshme komunikimi.

Image

Pjesëtarët e kësaj kombësie adhurojnë kryesisht natyrën dhe paraardhësit e vet, ndërsa disa besojnë në taoizëm e budizëm. Festat kryesore të tyre, përveç atyre që janë të përhapura gjerësisht në Kinë, si Festa e Pranverës dhe Festa e Barkës së Dragoit, janë edhe Festa e Pishtarit dhe Festa e Orizit të Ri.

Kombësia achang

Image

Kombësia achang është një ndër shtatë pakicat kombëtare që është unike për provincën Yunnan të Kinës Jugore dhe që ka një popullsi të vogël. Numri i pjesëtarëve të kësaj kombësie është pothuajse 40 000, të cilët jetojnë kryesisht të shpërndarë në qytezat e kombësisë achang Husa, Nangsong dhe Jiubao në kontenë Lianghe të prefekturës autonome të kombësive jingpo dhe dai Dehong, ndërsa pjesa tjetër në kontetë Yingjiang, Tengchong, Longling, Yunlong dhe kështu me radhë. Gjithashut, ka edhe disa pjesëtarë të kësaj kombësie që jetojnë në Mianmarin fqinj.

Kombësia achang ka gjuhën e vet, që bën pjesë në degën e gjuhëve tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane, por nuk ka alfabetin e vet. Për shkak të lidhjeve të gjata me banorët e kombësisë hane, yi dhe kombësive të tjera, achang-ët njohin edhe gjuhën e këtyre kombësive dhe përdorin në shkrim hieroglifet e gjuhës hane.

Image

Për sa i përket ushqimit, achang-ët hanë kryesisht oriz, si edhe peshkun e skuqur. Peshkun ata e zënë zakonisht në ujërat e orizereve.

Për sa u përket festave, pjesëtarët e kombësisë achang kanë të përbashkët me ata të kombësisë dai Festën e Spërkatjes me Ujë. Ky është një rast i mirë për të rinjtë për t’u njohur e për t’u dashuruar me njëri-tjetrin. Një festë tjetër që kremtohet prej banorëve të kombësisë achang është Festa e Pishtarëve, më 24 qershor sipas kalendarit hënor. Gjatë kësaj dite ata hanë makarona orizi me mish derri dhe dalin në mbrëmje nëpër lagje me pishtarë në dorë. Por festa kryesore e kësaj kombësie Woluo, më 4 prill të kalendarit hënor, për të adhuruar paraardhësit.

Kombësia nu

Image

Pakica kombëtare kineze nu ka pak më shumë se 37 000 veta, të cilët jetojnë kryesisht në kontetë Bijiang, Fugong dhe Gongshan të provincës Yunnan, ndërsa një numër e tyre jetojnë edhe në Lanping dhe Weixi. Pjesëtarë të kombësisë nu gjenden edhe në Mianmarin fqinjë.

Kombësia nu ka gjuhën e vet, që bën pjesë në degën e gjuhëve tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane, por nuk ka alfabetin e vet. Shumica e pjesëtarëve të kësaj kombësie tani përdorin gjuhën standarde kineze.

Image

Kombësia nu shquhet për interpretimin me vegla muzikore, veçanërisht me dabian, që është e ngjashme me pipa-në, dhe me nili, edhe ky një instrument me tela. Kur një i ri i kësaj kombësie përpiqet të fitojë zemrën e një vajze, ai luan me njërin prej këtyre dy instrumenteve dhe vajza gjithashtu përgjigjet duke luajtur me një prej tyre.

Kombësia nu kremton festa si Viti i Ri, Festa e Luleve dhe festat për adhurimin e Zotit të Grurit dhe Zotit të Pyllit.

Kombësia ewenke

Image

Kombësia ewenke ka më shumë se 30 000 banorë, të cilët jetojnë kryesisht në kontenë autonome të kombësisë ewenke dhe në gjashtë konte të tjera të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, si edhe në kontenë Nahe të provincës Heilongjiang.

Gjuha e kombësisë ewenke i përket familjes së gjuhëve altaike dhe nuk shkruhet, por vetëm flitet, duke pasur tre dialekte.

Ewenke është pikërisht emri me të cilin e quajnë veten anëtarët e kësaj kombësie, që në gjuhën e tyre do të thotë “banorë të pyjeve të maleve të larta”. Ata besojnë kryesisht në shamanizëm.

Image

Ushqimet bazë të pjesëtarëve të kësaj kombësie janë qumështi, mishi dhe brumërat. Mysafirët ata i gostitin gjithmonë me çaj qumështi, ndërkohë që me qumësht ata bëjnë edhe një lloj vere. Qumështi për ewenke-të është diçka gati e shenjtë, sepse sipas tyre sjell mbarësi, dhe ata kujdesen të mos derdhin asnjë pikë nga ky lëng i çmuar.

Kombësia ewenke shquhet për këngët e vallet e saj, si edhe për mundje e kalërim. Festat e veçanta të kësaj kombësie janë Festa e Adhurimit të Zjarrit, festa “Mikoulu” (e adhurimit të të korrave) etj.

Kombësia jing

Image

Kombësia jing është një nga 55 pakicat kombëtare të Kinës dhe ka një popullsi prej më shumë se 28 000 vetash. Banorët e kësaj kombësie jetojnë kryesisht në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang në jug të Kinës. Kombësia jing ka gjuhën e vet, e cila ekziston vetëm si gjuhë e folur, por gjuhëtarët e kanë të vështirë të përcaktojnë se cilës familje gjuhësore i përket ajo.

Kombësia jing lëvron forma të pasur të artit popullor tradicional. Veçanërisht arti i këndimit është mjaft i bukur dhe i veçantë. Përmbajtja e këngëve të kombësisë jing është shumë e pasur, por ka lidhje kryesisht me detin, sepse pjesa më e madhe e veprimtarisë prodhuese të banorëve të kësaj kombësie ka të bëjë me detin. Edhe ushqimet kryesore të tyre janë peshqit, karkalecat e detit, gaforret etj.

Image

Për sa u përket festave tradicionale të kësaj kombësie, festa më e madhe është “Changha”. “Changha” në gjuhën e kombësisë jing do të thotë të këndosh e të argëtohesh. Gjatë kësaj feste, të rinj e të moshuar, të veshur me veshjet e tyre më të mira, pasi këndojnë, bëjnë blatime për të pasur peshkim sa më të mbarë e një jetë të lumtur.

Kombësia jinuo

Image

Kombësia jinuo ose jino, ka pak më shumë se 23 mijë veta, duke qenë një ndër shtatë pakicat e veçanta kombëtare me popullsi të vogël që jetojnë në provincën Yunnan. Banorët e kësaj kombësie jetojnë kryesisht në prefekturën autonome të kombësisë dai Xishuangbanna, por ka edhe disa që jetojnë në kontetë Jinghong, Mengla etj.

Kjo kombësi ka gjuhën e vet, që bën pjesë në degën e gjuhëve tibetiane-burmeze të familjes së gjuhëve sino-tibetiane, por ekziston vetëm si gjuhë e folur.

Banorët e kombësisë jinuo shquhen për rritjen e çajit, veçanërisht të çajit të njohur pu’er. Ata kultivojnë oriz, misër, banane, papaja e madje edhe pambuk. Por tradicionalisht ata janë një popull që janë marrë me gjueti. Gjahun e kapur, përveçse për mish, ata e përdornin dhe për veshje.

Image

Për sa i përket besimit, jinuo-t besojnë në animizëm, domethënë se çdo gjë në botë ka shpirt.

Festa kryesore për pjesëtarët e kombësisë jinuo është “Temaoke”, ose Festa e Farkëtimit të Hekurit, e barasvlershme me Vitin e Ri perëndimor. Kjo festë kremtohet për tre ditë, nga 6 deri 8 janar, sipas kalendarit gregorian.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments